Shkurtim i burokracisë, forcim i konkurrencës, rritje e mëtejshme e ekonomisë në vendin tonë dhe punësimi real, mbeten synimet kryesore të qeverisë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria është në kushtet e një modeli të ri ekonomik.
Në konferencën “Sfidat për Rritjen e Investimeve dhe Aftësisë Konkurruese të Ekonomisë Shqiptare”, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, me pjesëmarrjen e rreth 150 kompanive nga Italia, Kuvajti, Turqia, Kosova, Maqedonia e shumë vende të tjera, Rama bëri të ditur edhe angazhimin e ndërmarrë nga qeveria për lehtësimin e procedurave burokratike.
Më tej, ai shtoi se në këto pak javë të qeverisë së re janë 49 raste të trajtuara dhe në trajtim nga ministrja, për të mos lejuar që gjendja e sipërmarrjes të rëndohet.
Ai tha se nëse sipërmarrësit bashkëpunojnë për ta përdorur këtë urë do të kuptoni se nuk mund të gjejnë më shesh për të bërë përshesh.
Rama: Para përgjegjësisë, tatimorët dhe doganierët
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi tatimorët doganierët dhe inspektorët se do të vendosen para përgjegjësisë në rast shkelje të ligjit. E gjith kjo, sipas tij është themelore për të bërë të qartë faktin se sipërmarrësi nuk është vetëm.
Vendosja përpara përgjegjësisë e këtyre figurave të shtetit, sic janë tatimorët doganierët është themelore. Kjo realizohet nëse çdo kush prej tyre e ka të qartë që sipërmarrësi nuk është vetë. Mjafton ti çojë një mesazh ministres dhe menjëherë ka avokatin në dispozicion”, tha shefi i qeverisë.
“Do lehtësojmë burokracinë, do të heqim dokumentet e tepërta. Në një tufë dokumentesh që hoqëm i kursyem sipërmarrjes 56 vjet dhe do vazhdojmë të ecim në këtë drejtim për të pasur numrin më të ulët të dokumenteve në Evropë, ose të paktën të barabartë. Besojmë që sot jemi në kushtet se pavarësisht çfarë thuhet në forgjitë e mediave, Shqipëria është një vend i sigurt për të bërë biznes dhe mbi të gjitha vend me disa potenciale ende të pashfrytëzuar, duke filluar nga turizmi”, tha Rama.
Turizmi, Rama: Investimet me 4-5 yjë për 10 vjet do jenë pa taksa
Kryeministri Rama bëri të ditur se “jemi duke përgatitur një paketë të re që do të krijojë mundësinë që çdo investim me 4-5 yje të ketë një periudhë 10 vjeçare pa taksa, zero taksa”.
Sipas tij, kjo është rruga për të pasur një impakt të shpejtë pozitivi në sektorë dhe për të pasur një rritje punësimi cilësisht të konsiderueshme.
https://www.ata.gov.al/rama-shqiperia-vend-i-sigurt-per-biznes/