Kryeministri Rama takon Kancelaren Merkel

Shqipëria duhet të vazhdojë rrugën e reformave që ka nisur në mënyrë që të avancojë në procesin e integrimit europian. Ka qenë ky mesazhi që kancelarja gjermane Angela Merkel ka dhënë për Tiranën zyrtare në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Berlin. 



“Ne konstatojmë sot se Shqipëria është shndërruar në mënyrë rrënjësore në vitet e fundit dhe që ka ndërmarrë hapa të rëndësishme në rrugën e reformave dhe që po i ndërmerr edhe më tej ato. Komisioni Europian i ndjek zhvillimet në Shqipëri dhe në raportin e fundit për vendet aspirante i ka vlerësuar këto zhvillime. Tani është e rëndësishme që kjo rrugë të vazhdojë”, ka thënë Merkel. 

Kancelarja e ka vënë theksin tek reforma në drejtësi, e cila, siç tha ajo, “duhet të ketë një zbatim të qëndrueshëm”, si dhe tek prioritetet e tjera të caktuara nga KE që janë: lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat duhet të jenë konform rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. 

“Unë besoj se këtu janë arritur gjëra të rëndësishme dhe ne do të flasim se si mund të ndihmojë Gjermania edhe më tej”, ka shtuar Merkel. 

Nga ana e tij, kryeministri Rama ka vlerësuar mbështetjen e Gjermanisë për “krijimin e kushteve për t’i dhënë paqes në Ballkan një cilësi të re bashkëpunimi rajonal”, por ka rezervuar edhe një apel për BE-në. 

“Procesi i Berlinit është kthyer në një hapësirë të re komunikimi në rajonin tonë. Kjo situatë premtuese në rajon lidhet me fuqinë e madhe tërheqëse që Europa ka për ne. Por dua të nënvizoj se në këtë situatë shumë pozitive, as ne e as partnerët europianë nuk duhet ta marrin si të mirëqënë njëherë e përgjithmonë atë që kemi arritur, sepse në rajonin tonë veprojnë edhe aktorë të tretë që synojnë të shfrytëzojnë çdo lëkundje, paqartësi apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me BE-në”, ka vënë në dukje Rama. 

Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se, integrimi europian për Shqipërinë duhet të jetë një proces sa më i ndershëm dhe i parashikueshëm. 

“Shqipëria dhe shqiptarët nuk kërkojnë asgjë të pamerituar në këtë proces. Ne nuk kemi hyrë në këtë rrugë sepse na i ka imponuar Brukseli, Berlini apo Parisi, por sepse na i kanë diktuar etërit themelues të shtetit shqiptar 104 vjet më parë, si shprehje e një vullneti të hershëm për t’u shkëputur nga Lindja për t’u bashkuar me Perëndimin”, ka thënë Rama. 

Ai është shprehur i vetëdijshëm për rëndësinë e reformës në drejtësi, për të cilën tha se ka ardhur koha për ta kaluar nga letra në zbatim. 

“Faktikisht, sot ne e kemi në kartën tonë kushtetuese të kryer këtë detyrë. Por është një detyrë e kryer në letër, sepse tani është koha për ta implementuar. Shqipëria e mirëkupton dhe e mbështet kushtin e KE për çeljen e negociatave që të nisë procesi i vetting-ut. Ashtu sikundër, as nuk e vë në diskutim se progresi në 5 prioritetet duhet të jetë i vazhdueshëm”, ka vijuar Rama. 

Por, ka shtuar ai, Shqipëria meriton nga BE të njëjtin luajalitet që ajo i ka shprehur BE-së, “me politikën e jashtme 100 për qind të përputhur me vendimet e BE-së, me politikën rajonale tërësisht të orientuar drejt vlerave dhe BE-së dhe politikën e brendshme të udhëhequr nga fryma europiane”. 

“Po aq sa rajoni ynë ka nevojë për BE-në, aq ka edhe BE nevojë për Ballkanin. Do t’i çojmë përpara reformat për t’i zbatuar në realitetin e Shqipërisë”, ka shtuar Rama. 

 

http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=341701#k1

Adresa

Ambasada Shqiptare
Laz-Rom Building, 11 Tuval Street,
Ramat Gan 5252226, Israell

Tel / Fax

Tel: 00972 03-5465866
Fax: 00972 03-6883314
Cel: 00972 (0) 54 904 2813
Nr. i emergjences: 00972 (0) 54 904 2813

E-MAIL

embassy.telaviv@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E Diel - E Enjte
9:00- 17:00