Ministri Bushati në “Konferencën e 18-të Ndërkombëtare të luftës kundër terrorizmit”

“Lufta ndaj terrorizmit nuk është dhe nuk do të jetë e lehtë, por nuk ka alternativë dhe nuk duhet të ndihet e dekurajuar”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet në Izrael për punimet e “Konferencës së 18-të Ndërkombëtare të luftës kundër terrorizmit”, organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Luftës kundër Terrorizmit (ICT).

Gjatë vizitës së tij, Ministri Bushati zhvilloi disa takime bilaterale. Ai u takua me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Izraelit Benjamin Netanyahu, Ministrin e Mbrojtjes Avigdor Lieberman, Ministrin për Bashkëpunimin Rajonal Tzachi Hanegbi, Lideren e Opozitës Tzipi Livni, Drejtuesit e Komitetit Amerikano-Hebre (AJC) David Harris dhe Kongresit  Botëror të Hebrenjve (WJC) Robert Singer.

Ministri Bushati në fjalën e tij në konferencë prezantoi angazhimin dhe kontributin e vendit tonë në luftën kundër terrorizmit e ekstremizmit të dhunshëm, duke vënë theksin në shpalosjen e nismave të reja që lidhen me rolin e edukimit, harmoninë fetare, respektimin e të drejtave të njeriut e minoriteteve, vlerave të tolerancës ndaj diversitetit, dhe në hartimin e zbatimin e politikave të posaçme strategjike, sociale, politike, ligjore, edukative dhe ekonomike.

Bushati tha se “lufta ndaj terrorizmit nuk është dhe nuk do të jetë e lehtë, por nuk ka alternativë dhe nuk duhet të ndihet e dekurajuar. Ashtu si rrjetet terroriste janë transnacionale, kështu duhet të jetë edhe bashkëpunimi ynë”.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka është e nevojshme për të prishur lidhjen mes radikalizimit dhe terrorizmit duke adresuar çështjet e ndryshme dhe komplekse në mjedise ku ushqehen akte terroriste. Duhet të miratojmë një “përpjekje të të gjithë shoqërisë” duke u angazhuar me shoqërinë civile, komunitetin dhe udhëheqësit fetarë, dhe të rinjtë”, u shpreh Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Laz-Rom Building, 11 Tuval Street,
Ramat Gan 5252226, Israell

Tel / Fax

Tel: 00972 03-5465866
Fax: 00972 03-6883314
Cel: 00972 (0) 54 904 2813
Nr. i emergjences: 00972 (0) 54 904 2813

E-MAIL

embassy.telaviv@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E Diel - E Enjte
9:00- 17:00