Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi zhvilloi një vizitë zyrtare dy-ditore në Izrael, në kuadër të mbajtjes së sesionit të 25-të të Panairit Mesdhetar të Turizmit, në të cilin morën pjesë qindra operatorë turistikë nga gjithë bota, të përfaqësuar nga zyrtarë të lartë të qeverive përkatëse.
Gjatë vizitës së tij, Ministri Klosi zhvilloi takime bilaterale me Ministrin izraelit të Turizmit z. Yariv Levin, kreun e Fondit Kombëtar të Pyjeve të Izraelit z. David Brand, takime me CEO të kompanive dhe sipërmarrjeve izraelitë të cilët kanë interes për të investuar në Shqipëri, si dhe me homologë të tij pjesëmarrës në panair.
Gjatë takimit me Ministrin Levin, Ministri Klosi duke vlerësuar bashkëpunimin dypalësh në fushën e turizmit, nënvizoi rëndësinë e funksionimit të projekteve të përbashkëta ndërmjet dy vendeve sidomos për investime në turizmin elitar me qëllim që Shqipëria të rrisë kapacitetet turistike duke shndërruar turizmin në një industri fitimprurëse për qytetarët, dhe rritje e imazhit të vendit në raport me fqinjët.
Ministri izraelit Levin nga ana e tij vlerësoi takimin me Ministrin Klosi, i dyti I këtij lloji, shprehu entuziazëm se zhvillimi i mëtejshëm ekonomik dhe vacantia e klimës së ngrohtë së bashku me cmimet e favorshme në Shqipëri, ka bërë që ky vend mesdhetar të kthehet në një destinacion turistik për shumë turistë izraelitë. Ai vuri theksin tek operimi sezonal i linjës ajrore IsrAir, që ofron fluturime charter direkte me Shqipërinë, si një nga faktorët kryesorë të këtij fluksi në rritje të turistëve izraelitë që vizitojnë Shqipërinë. Funksionimi i linjës direkte duhet të shtrihet gjatë gjithë vitit, dhe ky duhet të jetë synimi i të dy vendeve, me qëllim promovimin e turizmit dypalësh.
Gjatë vizitës në Izrael, Ministri Klosi zhvilloi takime pune dhe me grupet e biznesit, ku diskutoi mbi projektin e tyre per te investuar ne Shqiperi, ne fushen e hoteleri-turizmit, bazuar në lehtësirat fiskale që u ofrohen iniciativave të tilla.
Ministri Klosi zhvilloi një takim me dy Zv Presidentët e Kompanisë charter IsrAir të cilët e informuan mbi programin e fluturimeve të kësaj kompanie në Shqipëri për sezonin turistik Prill-Tetor. Ndryshe nga viti i kaluar kur kjo kompani nisi fluturimet në muajt korrik-tetor, që pati një fluks rreth 160% turistë më shumë se viti 2017, për këtë sezon turistik kjo kompani planifikon të sjelli mbi 25 mijë turistë në Shqipëri, duke operuar me fluturime direkte 3-4 herë në javë.
Vizita e Ministrit Klosi u ndoq me interes në median vendase. Ai dha një intervistë të drejtëpërdrejtë në TV i24 News, që transmeton lajme në katër gjuhë dhe ka një audiencë mbarë-botërore.