Nënshkruhet marrëveshja mes Yad Vashemit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave

Historia unike e kombit shqiptar, si i vetmi komb që shpëtoi të gjithë banorët e vetë hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore, do të promovohet gjerësisht për publikun izraelit dhe atë botëror. Me këtë qëllim, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Autoritetin e Përkujtimit të Martirëve të Heronjve të Holokaustit Yad Vashem në Izrael. Yad Vashem është autoriteti më i lartë i përkujtimit të viktimave të holokaustit dhe dhënësi i titullit "Fisnik mes Kombeve", që përbën vlerësimin më të rëndësishëm për shpëtimtarët e hebrenjve.

 

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes u zhvillua në qendrën e Yad Vashem në Izrael, ndërmjet drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, Dr. Ardit Bido dhe kryetarit të bordit të drejtorëve të Yad Vashem, Prof. Dr. Avner Shalev. Në ceremoni merrnin pjesë përfaqësues të lartë të Institucionit të Yad Vashem, studjues e historianë, si dhe Zv/Drejtori  i Përgjithshëm për Euro-Azisë në Ministrinë e Jashtme të Izraelit, Ambasador Zvi-Rav Ner, drejtori i Arkivave të Yad Vashem, dr. Heim Gartner etj. Gjatë nënshkrimit merrnin pjesë edhe një grup mësuesish nga Shqipëria, të cilët po zhvillojnë trajnime pranë Yad Vashem.

 

Kreu i bordit drejtues të Yad Vashem, Prof. Dr. Avner Shalev vlerësoi se Shqipëria ishte vendi i vetëm i cili shpëtoi të gjithë hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar Besën shqiptare, një koncept i pangjashëm sipas tij në kulturat e tjera. "Shqipëria kishte një komunitet prej vetëm 200 hebrenjsh në fillim të Luftës, por në fund të saj kishte mbi 2000 të tillë. Ky numër, pavarësisht se ishte i vogël, vlen për të treguar historinë e veçantë të një populli që kontribuoi për shpëtimin e hebrenjve". – tha z. Shalev. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Dr. Bido vlerësoi këtë marrëveshje, si të një rëndësie të veçantë, për shkak të rolit unik që Shqipëria luajti gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bido theksoi se Arkivat Shqiptare tregojnë jo vetëm historitë personale të hebrenjve, por përmbajnë edhe dokumente të një rëndësie të veçantë që rrëfejnë rolin e ministrave të asaj periudhe, apo të katër komuniteteve fetare shqiptare për shpëtimin e popullsisë hebreje. "Historia e Shqipërisë gjatë periudhës së errët të Luftës së Dytë Botërore, është një moment krenar për vendin tim. Kjo histori nuk duhet fshehur më, nuk duhet të mbetet në Arkiva, pa qenë e aksesueshme për sytë e publikut. Këto burime arkivore duhet të promovohen dhe të shpërndahen në mbarë botën, nëpërmjet mjeteve që na ofron teknologjia. Kjo nuk duhet të bërë për të mirën e hebrenjve dhe Izraelit, e as për të mirën e shqiptarëve e Shqipërisë, por për të mirën e njerëzimit; një provë që edhe gjatë vështirësive, edhe gjatë luftës, edhe gjatë periudhave të errëta të ideologjive ekstreme, ka mjete që njerëzit e zakonshëm mund të përdorin për të shpëtuar konceptet bazike të të qenit qenie njerëzore. Nuk mund të mendoj një vend më të mirë për të gjetur prova të tilla sesa në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe nuk mund të gjej një bashkëpunëtor më të mirë për një projekt të tillë sesa Yad Vashem, një institucion udhëheqës në përpjekjen për të bërë njerëzit të mos harrojnë të shkuarën për të mos u përsëritur marrëzia e shekullit të kaluar".

 

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Izraelite, Ambasador Zvi Rav-Ner vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, të cilat pas vitit 1991 kanë bërë që Shqipëria të konsiderohet si një nga vendet më mike të Izraelit në Evropë. Ai theksoi se vetëm pas rënies së diktaturës në Shqipëri, Izraeli nisi të njihte historinë e hebrenjve të Shqipërisë dhe nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, do të mund që ky kontribut të dal në pah nëpërmjet dokumenteve origjinale të kohës.

 

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Izrael, Dr. Bardhyl Canaj, shprehu kënaqësinë për ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe përgëzoi arritjen e marrëveshjes mes Yad Vashemit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, përpjekje që ka nisur prej vitit 2004.

Faza e parë e marrëveshjes është shkëmbimi i kopjeve dixhitale të arkivave mes dy institucioneve, përkatësisht dokumentet arkivore të Yad Vashem mbi kontributin shqiptar, të siguruar nëpërmjet arkivave të vendeve të tjera dhe dokumenteve arkivore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Kjo do të vijojë me projekte për promovimin e kësaj historie unike, nëpërmjet formave virtuale, si edhe botimeve, ekspozitave etj. Po ashtu, marrëveshja parashikon shkëmbimin e përvojave dhe trajnime të stafeve të dy institucioneve. Në këtë drejtim, Yad Vashem, si një institucion pararojë në zhvillimin e teknologjisë së arkivave, do të ofrojë asistencën e vetë profesionale mbi projektet e DPA-së. 

Adresa

Ambasada Shqiptare
Laz-Rom Building, 11 Tuval Street,
Ramat Gan 5252226, Israell

Tel / Fax

Tel: 00972 03-5465866
Fax: 00972 03-6883314
Cel: 00972 (0) 54 904 2813
Nr. i emergjences: 00972 (0) 54 904 2813

E-MAIL

embassy.telaviv@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E Diel - E Enjte
9:00- 17:00