
Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Izraelit
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Izraelit z. Shimon PeresNë një letër drejtuar Kryetarit të Knesset, Parlamentit të Izraelit Yuli Edelstein, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Izraelit z. Shimon Peres.
Më poshtë letra e plotë drejtuar z. Edelstein:
I nderuar Z. Edelstein,
Më lejoni t’Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta në emër të Kuvendit të Shqipërisë për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Izraelit z. Shimon Peres dhe njëkohësisht mirënjohjen e thellë për përkushtimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të këtij njeriu të madh të paqes.
Gjatë gjithë jetës së tij, Shimon Peres i shërbeu në mënyrë të palodhur Izraelit përmes alternativës së pajtimit në Lindjen e Mesme dhe jo konfliktit, duke besuar me optimizëm në një të ardhme të paqtë, dhe duke ndryshuar kështu drejtimin e historisë mbarë-botërore.
Ne sot i bashkohemi familjes Peres, popullit mik të Izraelit dhe miqve tanë hebrenj në tërë botën duke u përkulur me respekt të thellë përpara jetës dhe veprës së jashtëzakonshme të një njeriu të madh parimesh të drejta, i cili do të mbetet një prej personaliteteve më me peshë të historisë sonë moderne.
Vepra e Shimon Peres na frymëzon të gjithëve për të intensifikuar përpjekjet tona në shërbim të një bote më të paqtë e më të sigurtë për brezat e ardhshëm. Ju siguroj Zoti Edelstein se gjithë populli shqiptar gjendet pranë Jush dhe miqve tanë hebrenj në këto ditë zie kombëtare.
http://www.sot.com.al/politike/meta-shpreh-ngush%C3%ABllimet-p%C3%ABr-nd...