Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Edi Rama në Samitin e Diasporës II:
Ju e dini që unë gjithmonë flas shkurt, shquhem për fjalime të shkurtra dhe sot kam një fjalim më të gjatë se zakonisht. Por jo, gjatë ecurisë së këtij sesioni hyrës në këtë samit, fjalimi im ndryshoi. Kështu që nuk do t’i referohem shumë asaj që kam përgatitur, pasi nuk ka nevojë për t’ju thënë se sa të rëndësishëm jeni dhe sa e rëndësishme është Diaspora, por besoj që është e nevojshme, për të ndarë me ju, vëllazërisht, disa mendime që besoj i vlejnë vëllazërisë sonë shqiptare, pavarësisht nëse jetojmë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, në jugun e Serbisë, apo kudo qoftë tjetër.
Nga samiti i shkuar në këtë samit kanë ndodhura disa gjëra dhe e them me bindje se nga samiti i shkuar në këtë samit, Shqipëria është më e mirë dhe shqiptarët në tërësi janë më mirë.
Nga samiti i shkuar në këtë samit, në Kuvendin e Maqedonisë është folur shqip. Nëse ka nevojë t’ju freskoj kujtesën, ishte jo 100, as 10 vjet përpara, por ishte midis këtyre dy samiteve, momenti kur shqiptarët në atë që sot është Maqedonia e Veriut u vendosën në shënjestër, si të ishin qytetarë të kategorisë së dytë dhe e ashtuquajtura Platforma e Tiranës u kthye në një autodafe për të ndarë hesapin zgjedhor brenda Maqedonisë, duke i fryrë zjarrit të një konflikti që mund ta kishte kthyer atë vend shumë e shumë vite prapa. Falë pikërisht ndërveprimit vëllazëror me përgjegjësi kombëtare, por edhe me vetëdije të lartë politike, mes nesh këtu në Tiranë dhe liderëve në Maqedoni, jo vetëm që shqiptarët, sot janë shumë më mirë seç ishin dje, por ajo që për Presidentin e Maqedonisë quhej e papranueshme, gjuha e Nënë Terezës u bë gjuhë zyrtare e Maqedonisë së Veriut. Prandaj dua ta përshëndes përzemërsisht dhe jo për protokoll, mikun ton këtu, Ali Ahmetin, ta falënderoj për praninë dhe realisht ta përgëzoj, sepse pa shqiptarët nuk ka Maqedoni të Veriut dhe pa shqiptarët nuk do të kishte Marrëveshje të Prespës, pa shqiptarët nuk do kishte Maqedoni të Veriut në NATO dhe nuk mund të ketë Maqedoni të Veriut në Bashkimin Europian. Ne jemi më të interesuarit që ai shtet të përparojë, që ai shtet të jetë modeli i harmonisë dhe i bashkëjetesës mes dy popujve që e formojnë atë dhe jemi të lumtur të shohim se sot, shqiptarët në atë shtet janë më mirë, sesa ishin kur ne u takuam në samitin e parë.
Besoj që të gjithë sëbashku duhet t’i bashkohemi apelit që bëri Presidenti i Kosovës, drejtuar shqiptarëve në Tuz, për një arsye shumë të thjeshtë; Kudo ku shqiptarët bashkohen, shqiptarët janë më të mirët dhe fitojnë dhe historia e ka treguar, – nuk dua të sjell këtu as Gjergj Fishtën, as Faik Konicën, as Fan Nolin, – se çfarë të tjerë na kanë thënë, por edhe e sotmja tregon, se armiku më i madh i shqiptarëve janë shqiptarët. Ne, kudo ku bashkohemi, nuk na mund dot askush dhe prandaj, shqiptarëve në Tuz u them, bashkohuni, bashkohuni, bashkohuni dhe jepini vetes mundësinë që ta drejtoni atë komunitet me dinjitet dhe të mos lejoni që përsëri të humbni vetëm për shkak të armiqësive të kota dhe të panevojshëm me njëri-tjetrin.
Nga ana tjetër nuk mund të rri pa e thënë atë që ndjej dhe atë që ndjeva gjatë kohës që foli Presidenti i Kosovës. Nuk e kam në fjalim, nuk ishte në plan për ta diskutuar këtë gjë, por në të njëjtin sens dhe duke u nisur nga shembulli i shkëlqyer që dha Ali Ahmeti dhe liderët e tjerë në Maqedoninë e Veriut, dua të them që sot, Kosova dhe shqiptaria përmes Kosovës është përballë një sfide historike. Është një sfidë, e cila vendoset sot, por përcakton se si do të jetojnë mbas 30 vjetësh, ata që sot nuk kanë lindur akoma. Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë asgjë më të rrezikshme dhe asgjë më penguese për shqiptarët, sesa kur ju dalin përballë shqiptarët dhe kur për hesapet e vogla të katundit, apo për hesapet e vogla të klubit, apo për hesapet e vogla të mjedisit politik, e marrin flamurin dhe e kthejnë në një armë për të luftuar me njëri-tjetrin se kush është patrioti, kush është tradhtari, kush është i miri, kush është i keqi, kush është engjëlli, kush është djalli.
Ndërkohë që historia e Kosovës është historia e bashkimit. Është historia e mbi gjysmë miliardi euro, që njerëzit jashtë Kosovës, Diaspora shqiptare, të pasur dhe jo të pasur, milionerë dhe rrogëtarë të zakonshëm kontribuuan për të çliruar Kosovën. Këtë solli bashkimi, Kosovën që kemi sot. Por Kosova që kemi sot, nuk është ende Kosova që duam; Nuk është ende Kosova që duhet të njihet nga të gjithë; Nuk është ende Kosova që duhet të ulet njësoj si të gjithë në Kombet e Bashkuara; Nuk është ende Kosova që duhet të futet si të tjerët në NATO; Nuk është ende Kosova që duhet të jetë bashkë me të tjerët në Bashkimin Europian; Dhe kjo është një sfidë për të cilën të gjithë duhet të japin kontributin e tyre, por, mbi të gjitha, askush që flet shqip nuk duhet të gëzojë që në gjuhën shqipe t’i thotë një tjetër shqiptari që flet po shqip, që unë jam patrioti e ti je tradhtari. Kush e bën këtë, është kërcënimi kryesor për të fituar sfidën.
Unë nuk mund të bëj tani, sikur ju nuk keni ardhur këtu dhe sikur ne nuk jemi në Tiranë dhe sikur këtu nuk ka ndodhur asgjë këto ditët e fundit. Nuk e bëj dot. Dhe përsëri është e njëjta histori. Është historia e shqiptarëve që i kundërvihen shqiptarëve, jo për Shqipërinë, jo për flamurin, jo për ideale dhe për ide, por thjesht për hesapet e vogla të katundit, për hesapet e vogla të klubit, për hesapet e vogla të mjedisit politik.
Dëgjova Lizën kur tha, duhen më shumë gra në vendimmarrje. Shqiptarët kundër shqiptarëve, këtu në Shqipëri kanë krijuar një ide, e kanë ushqyer me të gjitha mënyrat dhe e kanë shpërndarë edhe përtej kufijve, se kjo kohë e re e Shqipërisë është koha kur në Shqipëri paskan lindur kriminelët, qenkan rritur kriminelët e na paskan ardhur e na paskan pushtuar Parlamentin, kriminelët.
Liza tha duhen më shumë gra, unë i them, kjo në fakt është koha kur qeveria e Shqipërisë ka 50% gra. Kjo është koha kur në Parlamentin e Shqipërisë ka më shumë gra, sesa ka pasur kurrë ndonjëherë. Kjo është koha kur në Këshillat Bashkiake të Shqipërisë ka 50% gra dhe 50% burra. Pra, kjo është koha, kur varet se nga cili kënd vendos ta shohësh vendin tënd dhe varet sa e vret mendjen për vendin tënd, kur në gjuhë të huaj e kthen vendin tënd në mish për top për hesapet e tua. Sa herë shqiptarët kanë bërë këtë, ka humbur Shqipëria dhe nuk ka fituar askush dhe ata që e kanë bërë këtë, i ka mbuluar me turp historia, por kur të mbulon me turp historia, është shumë vonë.
Ndërkohë që sot, ne nuk na duhet se ç’do bëjë historia. Sot, ne na duhet të vazhdojmë të ecim në rrugën që kemi nisur, sepse po flasim për shtetbërje dhe nuk po flasim për të ngrënë një darkë të gjithë sëbashku e për të pirë raki. Një darkë sëbashku e për të pirë raki është gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë – e patjetër që falë ministrit të Diasporës do ta bëjmë, edhe pse ai i sheh të gjithë duke pirë raki dhe për vete pi ujë, – por ne po flasim për luftën më të madhe, luftën më të vërtetë, luftën më të vështirë që i është hapur ndonjëherë korrupsionit në Shqipëri.
Si luftohet korrupsioni, përveçse duke u përpjekur të ndërtojmë një sistem drejtësie që i bëhet korrupsionit armik i betuar dhe që e ndjek atë këmba këmbës?
Kujt dhe kur i ka shkuar në mend se në Shqipëri, gjykatësit dhe prokurorët, ata që e kanë mbajtur drejtësinë si ta kishin pronë private dhe që i kanë bërë pronat e shqiptarëve, i kanë bërë të drejtat e shqiptarëve lesh e li, do të vinte dita që do të jepnin llogari?
Prokurorë dhe gjykatës në nivele më të larta, sot janë jashtë sistemit. Sigurisht, procesi nuk ka mbaruar, por, ama, hap pas hapi po ndërtohet sistemi i ri i drejtësisë, duke pastruar llumin nga pallati i drejtësisë.
Po flasim për të bërë shtet, po flasim për të bërë administratë, nuk po flasim për të bërë sikur.
Sigurisht që asnjë shqiptar nuk do ketë paqe deri ditën që do të shohë politikanët, vendimmarrësit, ata që në gjithë këto vite kanë bërë të mira, por kanë bërë dhe të këqija, kanë bërë punë, por kanë bërë dhe zarare të mëdha, për ata, të cilët kanë sjellë haraçe për të paguar, që të paraqite para drejtësisë. Por kjo nuk është një histori, siç është të shkruash komente në Facebook dhe siç është të kërkosh drejtësinë, siç ndodhte dikur.
Lavdi Zotit për popullin shqiptar, koha kur drejtësinë e bënte partia apo qeveria dhe koha kur vendoste Kryeministri apo shumica se kush duhet të shkonte në burg ka vdekur në vitin 1990!
Kjo është koha për të ndërtuar një sistem drejtësie, siç është në të gjitha vendet nga ju keni ardhur dhe ne këtë po bëjmë.
Sot, Shqipëria është më e mirë, sesa ishte në samitin e parë. Sot, Shqipëria ka dyfishuar eksportet.
Ju dëgjoni dhe ju rrokaniset koka sa herë hapni televizorin në shqip, “droga, droga, droga”. Ndërkohe që në këto dy vite, po ju njoftoj, jo sipas meje, jo sipas qeverisë shqiptare, por sipas agjencive të specializuara ndërkombëtare, ka ndodhur çrrënjosja e gjithë plantacioneve të kanabisit, që nuk erdhën me mua, por i gjeta aty ku ne filluam luftën, duke e vendosur problemin në rendin e ditës.
Lazarati ka qenë aty edhe ju, edhe fëmijët tuaj mund të mos dinit se ku është Burreli, mund të mos e kishit dëgjuar kurrë emrin e Bulqizës apo Cërrikut, por dy emra i kanë dëgjuar gjithsesi, ose tre më saktë; Tiranën, Vlorën dhe Lazaratin.
Lazarati ishte fusha e parë e betejës sonë.
Sot po ju them, ne jemi nën akuzë, jo sepse kjo është e vërteta, por sepse shqiptarët janë vënë kundër shqiptarëve. Atyre shqiptarëve që sot ishin të ftuar e nuk janë këtu, unë u them vetëm një gjë;
Kur do flasim?
Shqipëria, sot është më mirë, sesa ishte dy vjet më parë, sepse Shqipëria, sot e ka dyfishuar numrin e turistëve. E kemi nisur me 3 milionë turistë. Vitin që lamë pas shkuam në 6 milionë dhe unë, kur shoh një grup shqiptarësh që turren mbas shqiptarëve dhe që nuk llogarisin se çfarë i bëjnë Shqipërisë, kur i bien me kokë murit të qeverisë, nuk më shqetëson fare se çdo ndodhi me murin e qeverisë. Nuk më shqetëson fare se çdo ndodhi me shumicën qeverisëse, por më shqetëson se çfarë ndodh në mendjen e të gjithë atyre që ato imazhe i shikojnë në televizor, në Itali, në Greqi, në Amerike dhe në gjithë globin.
Më shqetëson se çfarë ndodh me ata që çohen në mëngjes për të hapur një dyqan të vogël me të cilin jetojnë dhe mbajnë familjen dhe ju pakësohen konsumatorët.
Më shqetëson çfarë ndodh me atë familje që ka një dyqan lulesh dhe nuk shet dot më asnjë tufë me lule, gjë që ma ka thënë një zonjë grua që kam shumë vite që e njoh, që ka një dyqan të vogël. Më tha, kam që në 16 shkurt që nuk kam shitur dot më asnjë lule.
Më shqetëson çfarë ndodh me ata, të cilët përgatiten për të hapur shtëpitë, për të hapur bujtinat, për të hapur hotelet për turistët dhe më shqetëson kur dëgjoj në Gjirokastër, që ky vit është viti me prenotimet më të mëdha dhe i mbuluar nga marsi deri në shtator dhe papritur, në 17 shkurt, në 18 shkurt, në 19 shkurt anulohen të gjitha prenotimet e marsit. Anulimi i prenotimeve të marsit do të thotë familje të tëra, që presin atë ditë për të ushqyer veten dhe për të bërë pak ekonomi, të mbeten pa ekonomi.
Kjo më shqetëson dhe kjo është ajo që shqiptarët mund t’i bëjnë shqiptarëve kur humbasin kthjelltësinë e shikimit, kur humbasin mendjen dhe kur shkojnë pas berihait.
Miqtë e mi, në samitin e parë, ne u mblodhëm emocionalisht. Në këtë samit, ju do ta shikoni, ne nuk ju kemi hapur derën thjesht për t’u parë e për të bërë muhabet. Kemi bërë shumë punë. Ka një sërë çështjesh, të cilat i kemi diskutuar në samitin e parë dhe sot, ju do të shikoni që janë ligje, janë vendime qeverie, janë angazhime konkrete.
Natyrisht, unë jam shumë dakord me Lizën dhe ky është objektivi ynë, Samiti i Diasporës, qeverinë duhet ta ketë partnere, por nuk mund ta ketë as qeverinë e Shqipërisë dhe as të Kosovës që bën gjithçka.
Samiti është i juaji dhe është për ju.
Ne duam që ju ta merrni samitin në pronësi dhe ne t’ju mbështesim për të organizuar çdo vit nga një samit. Ka ardhur koha që samiti të bëhet edhe në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut dhe shqiptarët mblidhen edhe këtu, edhe në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut, çdo vit. Pse një herë në dy vjet?
Një gjë dua ta veçoj. Në samitin e parë kemi mbledhur të gjitha çfarë kemi thënë dhe i kemi mbajtur shënim. Mbi atë bazë kemi ndërtuar disa procese dhe ju do t’i ndiqni në gjithë prezantimet që do keni dhe në gjithë diskutimet që do keni me gjithë anëtarët e qeverisë. Ama, të gjithë pa përjashtim keni thënë diçka; Duam të votojmë. Duam të shprehim vullnetin tonë si Diasporë, kur vjen puna për të vendosur se kush qeveris Shqipërinë.
Ne ju kemi thënë që e kemi në program, është një angazhim i yni dhe duam ta bëjmë. Më vjen keq t’ju them që deri më tani nuk kemi gjetur dakordësi për këtë çështje. Nuk është puna se nuk kemi gjetur për këtë çështje, por tani u bënë shumë çështje që nuk po gjejmë dakordësi. Ama çfarë unë ju siguroj është se votën tuaj, të drejtën e votës tuaj, mundësinë tuaj për të votuar ka vetëm dy rrugë për ne; Ose do ta bëjmë, ose do ta bëjmë!
Unë uroj që ta bëjmë të gjithë sëbashku me konsensus. Nëse nuk do mundemi ta bëjmë me konsensus, do ta bëjmë edhe pa konsensus.
Faleminderit!