Sot më datë 27.07.2016, Ambasadori i Shqipërisë në Izrael z. Bardhyl Canaj së bashku me Këshilltarin E. Vërleni, morën pjesë në një panel të veçantë në Parlamentin e Izraelit. Paneli kishte si objekt diskutimi dhe debati raportin e Departamentit të Shtetit, për vitin 2015, mbi trafikiminin e qenieve njerëzore.
Drejtuesja e panelit ishte ligjvënësja Dr. Aliza Lavie, drejtori i Ballkanit në MPJ, Dan Oryan, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Jashtme, të Punëve të Brendshme, të Mbrojtjes, Shëndetësisë, Prokurorisë, etj. Ishin të pranishëm Ambasadori i Norvegjisë dhe Zv. Ambasadori i SHBA-ve. Po kështu, i ftuar special ishte dhe një delegacion nga Shqipëria, kryesuar nga ZV. Ministra e Brendshme, Znj. Elona Gjebrea, si dhe Drejtorja e IOM, dega Tiranë, Alma Jani dhe nga Ministria e Financave që mbulon drejtorinë e sekuestrimit të aseteve të trafikantëve.
Në diskutimet dhe debatet që u bënë në panel u përcoll përvoja e Izraelit, u lexua raporti i Departamentit të Shtetit për Izraelin dhe Shqipërinë, bashkë me rekomandimet përkatëse drejtuar autoriteteve kompetente.
Në fjalën e saj, Zv. Ministrja Gjebrea përshëndeti raportin dhe homologët izraelitë për bashkëpunimin dhe informoi për masat e qeverisë shqiptare në këtë fushë.
Paneli pati vëmëndje të veçantë nga drejtuesit e Parlamentit dhe autoriteteve shtetërore izraelite. Ai u ndoq live nga media.
Pas panelit, u organizua një takim mes ekspertëve të të dy vendeve, i cili u hap dhe u përshëndet nga Drejtori Dan Oryan. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëbisedimeve të tilla, shkëmbimin e eksperiencave dhe nënvizoi fazën intensive dhe dinamike në të cilën kanë hyrë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit. Më tej u vazhdua me dëgjesat dypalëshe dhe u diskutua për të intensifikuar kontaktet dhe shkëmbimin e informacionit në këto fusha.
Zv. Ministrja Gjebrea propozoi që të shihet mundësia e nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe Izraelit në luftën ndaj trafikimit të qenieve njerëzore dhe prostitucionit. Propozimi u mirëprit dhe të dyja palët vendosën që në një të ardhme të afërt të shkëmbejnë draftet përkatëse për ta nënshkruar këtë marrëveshje.