Presidenti Meta në Forumin e Pestë Botëror për Holokaustin: Antisemitizmi duhet të luftohet përmes edukimit, promovimit të dialogut, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë!

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi nje vizite ne Izrael ne datat 22-24 Janar, ku mori pjesë në Forumin e Pestë Botëror për Holokaustin, me ftesë të Presidentit të Izraelit, Sh.T.Z. Reuven Rivlin.
Ky Forum udhëheqësish botërorë që u mbajt më 22-23 janar 2020 në qendrën përkujtimore të muzeut të Yad Vashemit në Izrael, me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të kampit të përqendrimit të Aushvic-Birkenaut, kishte si temë kryesore përkujtimin e Holokaustit dhe luftën kundër antisemitizmit.
Në këtë Forum të rëndësishëm ishin të pranishëm mbi 45 liderë botërorë, udhëheqës fetarë dhe të mbijetuar nga Holokausti.
Mesazhi i Presidentit Meta në këtë Forum botëror kushtuar përkujtimit të Holokaustit dhe luftës kundër antisemitizmin ishte:
“Diskriminimet bazuar në përkatësinë fetare dhe etnike po rriten në mënyrë shqetësuese në një botë që sa vjen e bëhet edhe më e ndërlidhur dhe më e larmishme, ne po shohim rreth e përqark nesh përpjekje të motivuara nga dy të këqijat e mëdha: të ‘urrejtjes dhe injorancës.
Rritja e antisemitizmit në formën e përdorimit të gjuhës së urrejtjes, dhunës, mohimit dhe shtrembërimit të Holokaustit, po merr gjithnjë e më shumë rëndësi dhe e bën urgjente nevojën që ato çka kemi mësuar nga përvoja jonë t’i përkthejmë në politikat tona.
Antisemitizmi shoqërohet shpesh nga dhuna me bazë gjinore dhe ajo homofobike, racizmi dhe forma të tjera të intolerancës, që bie ndesh me parimet të respektimit të kulturave dhe dallimet mbi të cilat ndërtohen shoqëritë tona. Siguria e individëve dhe komuniteteve të shënjestruara nga antisemitizmi është thelbësore, sepse përndryshe ai mund të kontribuojë në krijimin e një klime helmuese të shfrytëzuar nga ekstremizmi dhe terrorizmi.
Shqipëria u bë një vend që respektoi dhe nderoi Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit në vitin 2014. Vendi im është një shembull frymëzues për harmoninë mbresëlënëse dhe bashkëpunimin ndërfetar, dhe ne jemi krenarë që kemi qenë një strehë mbrojtëse gjatë periudhës më të errët për popullin hebre.
Ne, populli shqiptar, jo vetëm nuk u dorëzuam nazistëve asnjë hebre, por gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore numri i hebrenjve në vendin tonë u rrit disa herë më shumë nga ç’ishte para fillimit të saj. Ishte një veprim njerëzor, solidariteti dhe vendosmërie absolute për të ndihmuar të tjerët edhe pse ishim të vetëdijshëm që duke e bërë atë akt, mund na rrezikohej jeta jonë.
Nuk duhet të harrojmë që të gjithë jemi të barabartë dhe të lidhur nga të njëjtat vlera, parime dhe angazhime dhe se është detyra jonë të ndërtojmë një botë më të mirë për vetën tonë, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm.
Ashtu si të gjitha format e diskriminimit dhe intolerancës, antisemitizmi duhet të luftohet përmes edukimit, promovimit të dialogut, respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, në kuadër të të drejtave të njeriut si dhe qytetarisë botërore. Ky është edhe një imperativ i menjëhershëm i sigurisë si dhe përbën një detyrim afatgjatë edukues, për ta shndërruar vërtet përkujtimin në premtimin e një të ardhmeje më të mirë, në një ‘Kurrë më’!”
Gjithashtu, Presidenti Meta zhvilloi takime bilaterale me Presidentin Rivlin dhe me Kryetarin e Parlamentit Edelstein ne te cilat u theksua miqesia qe i bashkon dy kombet. 
Ndërsa Presidenti Rivlin nënvizoi se “shembulli i popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve përbën një model unik për të gjithë botën”.
Presidenti Meta vuri në dukje faktin se Shqipëria dhe Izraeli gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se të dy vendet e popujt tanë ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe demokracisë.
Ndërsa Presidenti Rivlin nënvizoi se “shembulli i popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve përbën një model unik për të gjithë botën”.
Ne takimin me Kryetarin e Knesset Edelstein, Presidenti Meta  inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në vendin tonë.
“Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, dhe mjeteve të reja digjitale për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve dhe turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona historike”, tha Presidenti Meta. Kreu i Shtetit shqiptar e falënderoi Kryetarin e Parlamentit izraelit për mesazhet e solidaritetit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, si dhe shprehu mirënjohjen për operacionet e kërkim-shpëtimit që Njësia Kombëtare e Shpëtimit e Izraelit ndërmori në vendin tonë.
 
 

Adresa

Ambasada Shqiptare
Laz-Rom Building, 11 Tuval Street,
Ramat Gan 5252226, Israell

Tel / Fax

Tel: 00972 03-5465866
Fax: 00972 03-6883314
Cel: 00972 (0) 54 904 2813
Nr. i emergjences: 00972 (0) 54 904 2813

E-MAIL

embassy.telaviv@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E Diel - E Enjte
9:00- 17:00