Shqipëria do të drejtojë OSBE-në në 2020, Bushati: Fitore e politikës sonë të jashtme dhe kursit konstruktiv që ka ndjekur Shqipëria në vite

Shqipëria merr mbështetjen unanime të vendeve anëtare të OSBE-së për kandidaturën e saj për të drejtuar këtë organizatë të rëndësishme në vitin 2020. Vendimi u zyrtarizua sot  gjatë Takimit të 25-të të Këshillit Ministror të OSBE-së në Milano. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, i cili mori pjesë në punimet e këtij takimi, tha se kjo është fitorja më e madhe e politikës së jashtme në kuadër të bashkëpunimit multilateral, pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Tanimë Shqipëria hyn në një fazë vendimtare, në fazën e kontributit për arkitekturën e sigurisë evropiane, duke qenë në drejtim të kësaj organizate. Kryesia shqiptare e OSBE-së si një vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor vjen pas katër kryesive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm Shqipëria do të bëhet pjesë e Trojkës së kryesisë së OSBE-së, bashkë me Sllovakinë, e cila merr kryesinë në vitin 2019 dhe Italinë, që po mbyll kryesinë e saj. Në këtë kuadër, Bushati shprehu  angazhimin e vendit në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe në atë të OSBE-së në tërësi.
“Hapësira e OSBE-së shtrihet nga Vankuveri në Vladivostok, e për pasojë do të testohen jo vetëm kapacitetet politike dhe diplomatike të vendit tonë gjatë ushtrimit të përgjegjësive në Trojkë dhe në drejtimin e OSBE-së, por njëkohësisht dhe aftësitë tona për të ndërvepruar me të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate të madhe, me vendet partnere, me institucionet autonome që veprojnë brenda arkitekturës institucionale të OSBE-së, të cilat në një mënyrë a një tjetër kanë një impakt pozitiv në këtë hapësirë”, u shpreh ministri Bushati.
Bushati tha se angazhimet e Shqipërisë do të fillojnë kryesisht në Ballkan, duke ushtruar përgjegjësi si vend pjesëtar i Trojkës: “Ky është një vendim i madh për Shqipërinë, është një fitore për politikën tonë të jashtme, për kursin tonë konstruktiv në Ballkanin Perëndimor, në Mesdhe.
 
Fjala përshëndetëse e Ministrit  Bushati pas mbështetjes për marrjen e Kryesisë së OSBE-së në 2020
Jam shumë i gëzuar nga mbështetja unanime që vendet anëtare të OSBE-së i dhanë kandidaturës së Shqipërisë për të drejtuar këtë organizatë të rëndësishme në vitin 2020.  Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm ne do të bëhemi pjesë e Trojkës së bashku me Sllovakinë dhe me Italinë, dhe kësisoj do të fillojmë angazhimet tona kryesisht në Ballkan, duke ushtruar përgjegjësinë si vend pjesëtar i Trojkës. Ky është një vendim i madh për Shqipërinë, është një fitore për politikën tonë të jashtme, për kursin tonë konstruktiv në Ballkanin Perëndimor, në Mesdhe.
Mund të them pa droje që është fitorja më e madhe e politikës sonë të jashtme pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, sepse OSBE-ja është një organizatë me dimension mesdhetar evropian, me dimension euroatlantik dhe me dimension gjithashtu euroaziatik. Shtrihet nga Vankuveri në Vladivostok e për pasojë gjatë ushtrimit të përgjegjësive në Trojkë dhe në drejtimin e OSBE-së do të testohen jo vetëm kapacitetet politike dhe diplomatike të vendit tonë, por njëkohësisht edhe aftësitë tona për të ndërvepruar me të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate të madhe, me vendet partnere, me institucionet autonome që operojnë brenda arkitekturës institucionale të OSBE-së të cilat në një mënyrë a në një tjetër kanë impakt pozitiv në hapësirën OSBE.
Shqipëria ishte një ndër vendet e fundit të botës ish-komuniste që u anëtarësua në këtë Organizatë dhe gjatë pranisë tonë në OSBE që nga dita e parë e deri më sot, përgjithësisht kemi përfituar nga prania e Organizatës në procesin e demokratizimit dhe reformimit të institucioneve shqiptare sepse organizata ka qenë bashkudhëtare në procesin e shtet konsolidimit demokratik, tani më Shqipëria hyn në një fazë vendimtare, në fazën e kontributit për arkitekturën e sigurisë evropiane duke qenë në drejtim të kësaj Organizate. Dua të falënderoj të gjithë anëtarët e OSBE-së, vendet partnere, institucionet autonome, veçanërisht Kryesinë Italiane roli e të cilës ishte vendimtar sikundër partnerët strategjikë të Shqipërisë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Laz-Rom Building, 11 Tuval Street,
Ramat Gan 5252226, Israell

Tel / Fax

Tel: 00972 03-5465866
Fax: 00972 03-6883314
Cel: 00972 (0) 54 904 2813
Nr. i emergjences: 00972 (0) 54 904 2813

E-MAIL

embassy.telaviv@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E Diel - E Enjte
9:00- 17:00