Ambasadori Bardhyl Canaj mori pjese ne Zoom Meeting, date 7 Korrik, organizuar mes kompanisë izraelite të specializuar në industrinë e Turizmit, 'Think Creative' dhe Znj. Rovena Mocka, Drejtore e Zhvillimit të Turizmit pranë Ministrisë së Turizmit dhe Znj. Kornelia Ferizaj, Drejtore e Agjensisë Kombëtare të Turizmit.
Nga kompania "Think Creative" morën pjesë bashkë-drejtueset Znj.Michael Lebenthal Andreson dhe Znj. Michal Shalem.
Ky takim virtual u fokusua në prezantimin e studimit me temë: 'Tourism Strategy Proposal for Albania', hartuar nga Think Creative, në të cilin u detajuan të dhëna rreth 'Travel Plan' të industrisë së turizmit izraelit drejt Shqipërisë, për vitin 2021. Sipas studimit, 'Destinacioni Shqipëri' do të konsiderohet prioritar për turistët izraelitë, sepse ofron atraksione të veçanta, kosto të lirë krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit dhe të Europës, përfshirë edhe mikëpritjen dhe traditën e kulinarisë shqiptare.
' Travel Plan' do të promovojë turizmin shqiptar dhe synon që të rrisi fluksin e turistëve izraelitë, që gjatë vitit 2019 arriti në shifrën e 23.000 vetëve, por për shkak të Pandemisë këtë vit nuk parashikohen të dhëna, por synohet që në vitin 2021 numri të shkojë deri në 40.000 vetë. Një prespektivë e tillë lidhet edhe me projektin e Agjensisë Charter IsrAir, për ta shtrirë kohën e fluturimeve gjatë gjithë vitit të ardhshëm.
Nga ana e përfaqësuesve të Ministrisë së Turizmit të Shqipërisë u prezantuan prioritetet e qeverise shqiptare për intensifikimin e industrisë së turizmit, masat për përballimin e saj gjatë kohës së Pandemisë, si dhe projektet në këtë fushë për vitet e ardhshme.
Të dyja palët ranë dakord me propozimin e kompanisë Think Creative për të organizuar në muajin Nëntor në Tiranë, një Workshop dedikuar Strategjisë së Turizmit izraelit drejt Shqipërisë, në të cilën do të marrin pjesë veç përfaqësuesve zyrtarë që merren me këtë sektor, edhe operatorët turistikë, si dhe sipërmarrës që operojnë në këtë industri.
Në këtë kohë krize Pandemie komunikimi virtual po ofron forma bashkëpunimi për të forcuar kooperimin me agjensi të specializuara në fushën e turizmit, etj. Ambasadori Canaj shprehu gatishmërinë për ndihmën që mund të ofrojë Përfaqësia jonë dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë për konkretizimin e inisiativës së mësipërme.