Takimi i Miqve të Shqipërisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati po merr pjesë në takimin e Miqve të Shqipërisë në Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së, një iniciativë e Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias.

Në takim morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Suedisë, Rumanisë, Polonisë, Bullgarisë, Maltës, Qipros si dhe vende të tjera anëtare të BE-së dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Ministri Bushati falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer në perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe u shpreh se ky takim është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar me progresin e bërë. Ministri Bushati nënvizoi hapat që ka ndërmarrë Shqipëria përmes reformave të guximshme për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe plotësimin e pesë prioriteteve në kuadrin e perspektivës së anëtarësimit në BE.

Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Federica Mogherini vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në  rajon dhe shtoi se hapja e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë është vendim i drejtë dhe në interes të dyanshëm.

Në takim u diskutua mbi koordinimin e hapave të mëtejshme të fillimit të bisedimeve të anëtarësimit.

Në këtë kontekst, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare vlerësuan rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe rezultatet pozitive të arritura në përmbushje të prioriteteve kyçe për çeljen e negociatave të anëtarësimit dhe miratimin e reformës në drejtësi, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e zbatimit të qëndrueshëm të tyre.

Gjithashtu, ata nënvizuan progresin e pasqyruar në Raportin e Komisionit duke evidentuar ecurinë e reformave shtet-konsoliduese dhe çmuar vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të vijuar me zbatimin e reformës në drejtësi.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Laz-Rom Building, 11 Tuval Street,
Ramat Gan 5252226, Israell

Tel / Fax

Tel: 00972 03-5465866
Fax: 00972 03-6883314
Cel: 00972 (0) 54 904 2813
Nr. i emergjences: 00972 (0) 54 904 2813

E-MAIL

embassy.telaviv@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E Diel - E Enjte
9:00- 17:00