Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë organizoi një mbrëmje festive me rastin e Festave Kombëtare, 112-vjetorit të Ditës së Flamurit dhe 80-vjetorit të Ditës së Çlirimit. Në pritjen e organizuar me këtë rast, ishte i pranishëm Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, Nënsekretarja për Punët e Jashtme dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar, Maria Tripodi, Ministri i Bujqësisë i Kosovës, Faton Peci, senatorë, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Itali, përfaqësues të komunitetit arbëresh, si dhe bashkëatdhetarë.
Në fjalën e saj të mirëseardhjes, Ambasadorja e Shqipërisë në Romë, Anila Bitri Lani, nënvizoi se Dita e Flamurit dhe Dita e Çlirimit janë data që i kanë vendosur shqiptarët në anën e duhur të historisë. Ministri Hasani u shpreh se Italia ka qenë dhe mbetet partneri ynë strategjik dhe avokati ynë i madh në rrugën e integrimit europian. Nënsekretarja Tripodi shprehu bindjen për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy popujve vëllezër.
Në këtë festim, himnet kombëtare të të dy vendeve u interpretyan nga një formacion i përbërë nga kuinteti i instrumenteve frymorë të Bandës muzikore të Aeronautikës Ushtarake italiane dhe kuarteti i harqeve të Orkestrës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.