Në Qendrën COD pranë Kryeministrisë në Tiranë, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. z. Edi Rama, priti në një takim të veçantë përfaqësuesit e Këshillit Studentor të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në vijim të bashkëbisedimit të zhvilluar me ta në Prishtinë gjatë muajit shkurt 2026.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke ofruar një mundësi të vlefshme për shkëmbim mendimesh mbi rolin e të rinjve në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe mbi rëndësinë e angazhimit të tyre në jetën publike, institucionale dhe diplomatike.
Delegacioni studentor u shoqërua në Tiranë nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Sh.T. z. Petrit Malaj, dhe Konsulli Françesk Fusha.
Gjatë diskutimeve u trajtuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të rinjve në të dy vendet, nxitjen e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit, kulturës dhe shkëmbimeve akademike, si dhe krijimin e hapësirave të reja që inkurajojnë pjesëmarrjen aktive të studentëve në proceset shoqërore dhe zhvillimore.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi angazhimin dhe energjinë e brezit të ri, duke theksuar se të rinjtë përbëjnë një aset të rëndësishëm për të ardhmen e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës. Ai i inkurajoi studentët të vazhdojnë të zhvillojnë iniciativa bashkëpunimi dhe projekte konkrete që mund të mbështeten si nga institucionet kombëtare, ashtu edhe përmes programeve dhe partneriteteve ndërkombëtare. Takimi konfirmoi edhe një herë rëndësinë e investimit te brezi i ri si një urë e qëndrueshme lidhëse mes dy vendeve tona. Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës forcohen jo vetëm përmes bashkëpunimit institucional, por edhe përmes kapitalit njerëzor, ideve, kreativitetit dhe angazhimit qytetar të të rinjve, të cilët ndajnë një vizion të përbashkët evropian për të ardhmen.
Vizita në Tiranë përfshiu gjithashtu njohjen nga afër me institucionet shtetërore dhe mundësoi krijimin e kontakteve të reja që mund të shërbejnë si bazë për bashkëpunime të ardhshme ndërmjet studentëve dhe institucioneve të të dy vendeve.



