Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës organizoi mbrëmë, në zemër të Prishtinës, në Kino ABC, premierën e dokumentarit “Nikolla i zemrës së Tiranës”, me regji të artistit tonë të mirënjohur, Artistin e Merituar, Prof. Mevlan Shanaj. Ky aktivitet kulturor mblodhi së bashku të ftuar, artistë, dashamirës të kulturës dhe përfaqësues të institucioneve dhe jetës publike në Kosovë, për të nderuar figurën e kompozitorit të shquar Nikolla Zoraqi, një prej personaliteteve më të ndritura të muzikës shqiptare.
Me ndjeshmërinë e tij të veçantë artistike dhe përvojën e gjatë krijuese, Mjeshtri Shanaj solli për publikun në Kosovë një vepër që ndërthur emocionin me dokumentimin, kujtesën me interpretimin, duke e bërë figurën e Zoraqit të afërt, të prekshme dhe frymëzuese për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Dokumentari paraqet një portret të thellë dhe dinjitoz të jetës dhe krijimtarisë së tij, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë sonë kulturore.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Konsulli Françesk Fusha përcolli përshëndetjet dhe mirënjohjen e Ambasadorit Petrit Malaj për regjisorin Mevlan Shanaj, skenaristen Natasha Lako, producentin Skënder Jaçe, gjithë ekipin realizues, si dhe Drejtoren e Qendrës Kinematografike të Kosovës, regjisoren Blerta Zeqiri, dhe stafin e Kino ABC-së për mikpritjen dhe bashkëpunimin e çmuar në realizimin e kësaj mbrëmjeje kulturore.
Ambasada mbetet e përkushtuar të thellojë edhe më tej lidhjen vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, sepse kultura është memoria më e gjallë e një kombi. Përmes promovimit të figurave, veprave dhe historive që na bashkojnë, synojmë të ruajmë e pasurojmë trashëgiminë tonë të përbashkët dhe të ecim së bashku drejt së ardhmes evropiane.


