Tiranë, 19 maj 2026 – Shqipëria dhe Mali i Zi konfirmuan nivelin e lartë të marrëdhënieve dypalëshe dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović.
Gjatë vizitës, ministri Ibrahimović zhvilloi takime me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, nënkryetaren e Kuvendit, Klodiana Spahiu, si dhe me përfaqësues të Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri–Mal i Zi.
Në takime u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera fqinjësore dhe u theksua se mes Shqipërisë dhe Malit të Zi nuk ka çështje të hapura, ndërsa bashkëpunimi në fusha të ndryshme po konsolidohet dhe zgjerohet në mënyrë të vazhdueshme.
Një nga temat kryesore të diskutimeve ishte perspektiva evropiane e dy vendeve dhe procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe rëndësia e koordinimit të mëtejshëm në kuadër të NATO-s. Palët diskutuan gjithashtu për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e lidhjeve ndërkufitare, me synim krijimin e mundësive të reja për qytetarët dhe bizneset e të dy vendeve.
Në fokus ishte edhe roli i komuniteteve pakicë, të cilat u vlerësuan si një urë e rëndësishme lidhëse mes Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe si një faktor që kontribuon në forcimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shoqërive.
Vizita u zhvillua në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe, në kuadër të 20-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke i dhënë një dimension të veçantë angazhimit të dy vendeve për të vijuar thellimin e partneritetit.
Nga Tirana u përcoll mesazhi i qartë se Shqipëria dhe Mali i Zi mbeten aleatë të ngushtë dhe partnerë strategjikë, të bashkuar nga orientimi euroatlantik, vlerat e përbashkëta dhe angazhimi për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë dhe për ta shndërruar partneritetin mes dy vendeve në rezultate konkrete, në interes të qytetarëve shqiptarë dhe malazezë dhe të një rajoni më të sigurt dhe më të integruar.











