Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Zhaklin Peto, zhvilloi një takim me drejtorin e Kopshtit “Nënë Tereza” në Tuz, David Junçaj.
Takimi u përqendrua në rolin e Kopshtit “Nënë Tereza” në edukimin e fëmijëve dhe në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar, si dhe në mundësitë për forcimin e bashkëpunimit me Ambasadën e Shqipërisë.
Ambasadorja Peto vlerësoi punën dhe angazhimin e stafit të kopshtit, duke theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve sa më të mira për edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve të komunitetit shqiptar në Mal të Zi.
Në takim u diskutua gjithashtu për nevojat dhe prioritetet e institucionit, si dhe për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta, të cilat do të kontribuojnë në pasurimin e përvojës së fëmijëve dhe në forcimin e lidhjeve të tyre me gjuhën dhe kulturën shqiptare.




