Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, mori pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, i cili u zhvillua më 22 tetor 2026 në Shën Stefan, në Mal të Zi, nën mikpritjen e Kryeministrit të Malit të Zi, z. Milojko Spajić.
Samiti mblodhi liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Bashkimit Evropian, si dhe partnerë ndërkombëtarë, në kuadër të angazhimit të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit.
Në fokus të diskutimeve ishin procesi i integrimit evropian, thellimi i bashkëpunimit ekonomik, ndërlidhja rajonale, forcimi i marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zbatimi i objektivave të Procesit të Berlinit.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë takim të nivelit të lartë riafirmon angazhimin e saj për një rajon më të integruar, bashkëpunues dhe të orientuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Samiti në Shën Stefan u zhvillua në kuadër të kryesimit të Malit të Zi të Procesit të Berlinit për vitin 2026, duke shërbyer si një tjetër mundësi për të konsoliduar dialogun politik dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit dhe partnerëve evropianë.


