Podgoricë, 19 shtator 2026 – Në ambientet e Shoqatës së Artistëve të Arteve të Bukura të Malit të Zi, në Podgoricë, u çel ekspozita personale “My City” e piktorit shqiptar Arben Golemi, një aktivitet kulturor i organizuar në kuadër të promovimit të artit dhe kulturës shqiptare në Mal të Zi.
Përmes ciklit “My City”, Arben Golemi sjell në vëmendje qytetin, arkitekturën dhe atmosferën e Beratit, duke e interpretuar atë përmes një gjuhe të veçantë artistike. Veprat e ekspozuara përcjellin elemente të identitetit urban dhe të trashëgimisë shqiptare, duke krijuar një dialog mes kujtesës, hapësirës dhe artit bashkëkohor.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe trupit diplomatik, artistë, personalitete të kulturës dhe miq të Ambasadës, duke e kthyer këtë aktivitet në një tjetër moment të rëndësishëm të shkëmbimit kulturor mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Ekspozita “My City” përbën një mundësi për publikun malazez dhe komunitetin diplomatik në Podgoricë për të njohur nga afër krijimtarinë e artistit shqiptar Arben Golemi dhe, përmes saj, një pjesë të identitetit kulturor e artistik të Shqipërisë.
Aktivitete të tilla dëshmojnë rolin e rëndësishëm që arti dhe kultura luajnë në afrimin e dy vendeve, në forcimin e dialogut dhe në krijimin e urave të reja të bashkëpunimit Shqipëri–Mal i Zi.
Ekspozita “My City” do të jetë e hapur nga 19 deri më 26 shtator 2026, në ambientet e Shoqatës së Artistëve të Arteve të Bukura të Malit të Zi, Ul. Marka Miljanova 2, Podgoricë.





