Samiti IV të Diasporës Shqiptare ndërtohet mbi mesazhin “Through Roots We Rise”, si një reflektim i qasjes së re të Qeverisë Shqiptare për të rilidhur, forcuar dhe ringjallur marrëdhënien strategjike me diasporën shqiptare; një nga asetet më të çmuara të vendit për imazhin, reputacionin dhe zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.
Ky samit nuk konceptohet vetëm si një moment takimi, por si një hap i ri politik dhe institucional për të rishikuar mënyrën se si shteti shqiptar mbështet diasporën, dëgjon nevojat e saj dhe amplifikon sukseset e individëve, profesionistëve, sipërmarrësve dhe komuniteteve shqiptare në botë.
Në këtë frymë është ndërtuar edhe arkitektura tematike e samitit, e përmbledhur në modelin H.E.A.R.T, i cili përfaqëson pesë rrënjë strategjike që materializojnë vizionin për një marrëdhënie të strukturuar, funksionale dhe ambicioze me diasporën.
HERITAGE vendos në qendër ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore, si themeli mbi të cilin ndërtohet identiteti shqiptar përtej kufijve. Kjo shtyllë pasqyron angazhimin institucional për ta trajtuar trashëgiminë si kapital aktiv identitar dhe diplomatik.
ECONOMY reflekton qasjen e qeverisë për ta parë diasporën si partnere zhvillimi: përmes investimeve, edukimit financiar, remitancave dhe përfshirjes në ekonominë e vendit. Kjo shtyllë synon të krijojë ura konkrete mes suksesit ekonomik të diasporës dhe potencialit zhvillimor të Shqipërisë.
ALLIANCES adreson forcimin e diplomacisë, ndërtimin e partneriteteve strategjike dhe krijimin e rrjeteve të reja të bashkëpunimit, duke e pozicionuar diasporën si një faktor aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare, në diplomacinë publike dhe në ndërtimin e aleancave afatgjata.
REPUTATION lidhet drejtpërdrejt me imazhin e Shqipërisë në botë. Përmes digjitalizimit të shërbimeve, promovimit të historive të suksesit dhe rritjes së transparencës institucionale, kjo shtyllë synon ta forcojë narrativën pozitive për Shqipërinë dhe shqiptarët në arenën ndërkombëtare.
TWINNING përfaqëson dimensionin praktik të bashkëpunimit: binjakëzimin e projekteve, shkëmbimin e ekspertizës, lidhjen e institucioneve, qyteteve dhe profesionistëve, duke kthyer marrëdhënien me diasporën në një proces të vazhdueshëm dhe të matshëm.
Së bashku, këto pesë rrënjë përbëjnë zemrën strategjike të Samitit, duke reflektuar qasjen e Qeverisë Shqiptare: një diasporë jo vetëm e lidhur emocionalisht me historinë e saj, por e përfshirë konkretisht në ndërtimin e së ardhmes së përbashkët. Samiti IV i Diasporës Shqiptare shënon kështu një moment të ri bashkimi, një hapësirë ku takohemi për të dëgjuar, për të ndarë, për t’u riorganizuar dhe për të ecur përpara së bashku drejt Shqipërisë 2030.


