
Në përfundim të mandatit të tij si Atashe Ushtarak i RSH-së akredituar në Malin e Zi, Kolonel Fiqiri Hoxhës, Ambasadori, z. Ernal Filo dhe Kolonel Hoxha, zhvilluan takime me Zv/Ministrin e Mbrojtjes të Malit të Zi, z. Ivan Mašulović, dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Admiral Dragan Samardzić.
Në këto takime u fol mbi marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe në proçesin e integrimit euroatlantik të Malit të Zi.... Bashkëbiseduesit e Malit të Zi shprehën falenderimet e tyre për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Malit të Zi gjatë rrugës së tij për anëtarësim në NATO. Ata u shprehën të sigurt se tashmë bashkëpunimi midis dy vendeve tona do të jetë edhe më i thellë dhe se anëtarësimi në NATO sjell më shumë siguri dhe mirëqënie në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ata falenderuan Kolonel Fiqiri Hoxha për punën dhe angazhimin e tij përgjatë gjithë mandatit dhe shprehën bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe me pasardhësin e tij.
Duke falenderuar Zv/Ministrin e Mbrojtjes z. Ivan Mašulović, dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Admiral Dragan Samardzić, për vlerësimin ndaj marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, si dhe kontributit të Kolonel Hoxhës, Ambasadori Filo theksoi se Shqipëria ka mbështetur që në fillim proçesin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, me bindjen se ai sjell më shumë siguri dhe mirëqënie në rajon. Me këtë rast, ai uroi Malin e Zi për marrjen e ftesës dhe nënshkrimin e Protokollit të Anëtarësimit, duke shtuar se beson se Parlamenti shqiptar do të jetë ndër të parët që do ta ratifikojë atë.