Qendra për Tranzicion Demokratik, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë të Shtetit dhe Misionin e OSBE-së në Mal të Zi, organizuan më 8 Prill 2016, konferencën me temë: "Transparenca e Prokurorisë - Mes sekretit hetimor dhe të drejtës së publikut për t'u informuar".
Gjatë konferencës u vu në dukje se, një nga detyrimet e institucioneve të shtetit, veçanërisht atyre që merren me luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, është që, të forcojnë besimin e qytetarëve tek puna e tyre dhe t'i informojnë për aktivitetet që kryejnë. "E drejta e publikut për t'u informuar është pjesë e standardeve ndërkombëtare, por, nga ana tjetër, në komunikimin me mediat dhe opinionin publik, duhet marrë në kosideratë edhe parimi i ruajtjes së sekretit të proceseve hetimore, konfidencialitetit dhe privatësisë së personave nën hetim dhe familjeve të tyre.
Ndonëse kufizuese ndaj njëri-tjetrit, këto parime janë në të njëjtën kohë edhe garantues të ekuilibrit të marrëdhënieve mes organeve të Prokurorisë dhe mediave. Këto të fundit kanë detyrimin që të mbrojnë parimin e transparencës, duke informuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm", ishte mesazhi i përcjellë gjatë konferencë.
Siç u theksua edhe nga organizatorët, qëllimi i këtij aktiviteti ishte të kontribuonte në përmirësimin e imazhit dhe integritetit të institucionit të Prokurorisë së Shtetit në Mal të Zi dhe në rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet. Diskutuesit theksuan nevojën për të vendosur punën e institucioneve, vecanërisht organeve të prokurorisë mbi baza kushtetuese dhe ligjore, si dhe që, nëpërmjet një politike të hapur dhe transparente të tyre, të realizohet një komunikim sa më cilësor mes të gjitha palëve të interesuara.
Demokracia, u theksua nga të pranishmit, dikton nevojën për ndërtimin e një mjedisi ku ka vend edhe për kritika konstruktive ndaj punës së organeve, dialog dhe të drejtë të publikut për t'u informuar. Nga ana tjetër, institucioni i prokurorisë, jo vetëm duhet t'a stimulojë këtë dialog, por dhe të marrë pjesë aktivisht në të. Aktiviteti u ndoq edhe nga stafi i Ambasadës.