Ministrja e Integrimit, znj. Klajda Gjosha, në krye të një delegacioni me përfaqësues të kësaj ministrie dhe Ministrisë sonë të Jashtme, zhvilloi dje një vizitë pune në Podgoricë, gjatë së cilës u takua me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Igor Lukshiç, si dhe me Kryenegociatorin e Malit të Zi për BE-në, Ambasadorin Aleksandar Andrija Pejoviç.
Në takimin e parë të Komitetit të përbashkët Mali i Zi-Shqipëri për Integrimin Europian, të zhvilluar dje në Podgoricë, Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha dhe Kryenegociatori i Malit të Zi për BE-në, Aleksanda Pejoviç, kanë vlerësuar se, të dy vendet ndajnë qëllim dhe vizion të përbashkët europian dhe në këtë plan do t'i përkushtohen forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale. Pejoviç ka rikujtuar se, Këshilli i përbashkët është themeluar me marrëveshjen e nënshkruar mes dy qeverive, e cila ka hyrë në fuqi me 16 dhjetor të vitit të kaluar. Ai shpreson se, ky organ do të jetë një forum i mirë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mes dy vendeve në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Po ashtu, Pejoviç ka theksuar se, bashkëpunimi i Malit të Zi dhe Shqipërisë është cilësor dhe shënon rezultate të mira, duke shtuar se, si për njërin vend, ashtu edhe për tjetrin, integrimi në BE mbetet synim kryesor. Edhe Ministrja Gjosha ka shprehur besimin se, gjatë takimeve të këtij organizmi do të arrihen rezultate të mira, aktivitete dhe një bashkëpunim më i ngushtë mes dy vendeve. Nga ana tjetër ajo ka theksuar se, reforma e gjyqësorit, e cila do të duhet të realizohet, do të sjellë më tepër investime, por dhe do të jetë çelësi i hapjes së kapitujve negociues me BE-në.
Gjatë takimit me znj. Gjosha, Ministri Lukshiç vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht të mira mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke theksuar gjithashtu nevojën që, ato të përmirësohen më tej në të gjitha fushat me rëndësi për të dyja vendet. Bashkëbiseduesit konstatuan se, është e natyrshme që, Shqipëria dhe Mali i Zi, si dy vende mike dhe fqëinje, të mbështesin njëri-tjetrin në proceset e integrimit. Ministrja Gjosha vuri në dukje rëndësinë që ka për rrugën e integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë, marrja e përvojës që Mali i Zi ka përftuar në këtë drejtim. "Konteksti i përbashkët rajonal dhe marrëdhëniet e mira dypalëshe na orientojnë drejt një bashkëpunimi dhe komunikimi të vazhdueshëm, jo vetëm mes dy vendeve tona, por mes të gjitha vendeve të rajonit", shtoi ajo. Nga ana e tij, Lukshiç shtoi se, Mali i Zi është i gatshëm të ofrojë mbështetje të plotë ndaj institucioneve shqiptare në rrugën e integrimit në BE. Procesi i negociatave, u shpreh ai, përshpejton reformat dhe kontribuon në forcimin e institucioneve, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik të shoqërisë. Duke patur parasysh faktin se, ky proces është gjithëpërfshirës, Lukshiç theksoi gjithashtu se është shumë e rëndësishme që shoqëria civile të përfshihet në mënyrë aktive në të.