Më 1 korrik 2025, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Poloni organizoi në qytetin e Poznań-it një ceremoni të veçantë nderimi për z. Jarosław Rosochacki, ish-Konsull i Përgjithshëm i Nderit të Shqipërisë në Poznań, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e çmuar në promovimin e Shqipërisë në Poloni dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-polake.
Në ceremoni ishin të pranishëm Konsulli i Nderit te RSh ne Lodz, Kryetarja e Shoqatës Poloni-Shqipëri, profesorë, bashkëpunëtorë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe familjarë te z. Rosochacki.
I lindur më 8 maj 1956 në Tiranë, z. Rosochacki mishëron një lidhje të veçantë dhe të thellë mes dy vendeve tona. Me formim akademik në histori, etnologji dhe arkivistikë në Universitetin “Adam Mickiewicz” në Poznań, ai ka qenë një urë lidhëse mes kulturave shqiptare dhe polake.
Që nga vitet ’80, z. Rosochacki është dalluar si promotor i palodhur i gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. Ai ka marrë pjesë mbi gjashtëmbëdhjetë herë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën Shqipe, ka përkthyer vepra dhe dokumente zyrtare dhe ka dëshmuar humanizmin e tij në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë luftës në Kosovë, duke ndihmuar vullnetarisht refugjatët shqiptarë në kampet e Złotów dhe Łagów, ne Poloni.
Gjatë drejtimit të Konsullatës së Nderit në Poznań, ai e shndërroi atë në një pikë dinamike bashkëpunimi kulturor, ekonomik dhe diplomatik ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë. Nën kujdesin e tij u organizuan dhjetëra aktivitete, pritje, ekspozita dhe vizita studimore, përfshirë edhe ekspozitën madhore në Muzeun Etnografik të Poznań-it në vitin 2011, ku për një vit e gjysmë u promovua kultura shqiptare përmes 200 objekteve autentike, shumë prej të cilave dhuruar Muzeut nga vetë Konsulli.
Për kontributin e tij te çmuar, z. Rosochacki u emërua Konsull i Përgjithshëm i Nderit i Republikës së Shqipërisë me qendër në Poznań.
Në bashkëpunim me Shoqatën Poloni-Shqipëri, ai organizoi 22 udhëtime turistike-studimore në trojet shqiptare, duke afruar mbi 700 qytetarë polakë me historinë, kulturën dhe mikpritjen shqiptare.
Veprat e tij dëshmojnë se diplomacia është më shumë se protokoll, është një akt dashurie, përkushtimi dhe solidariteti njerëzor. Për gjithë kontributin e tij nder vite, Ambasadorja Mimoza Halimi i dorëzoi z. Jaroslaw Rosochacki, Pllakën e Mirënjohjes me dedikimin:
“Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e çmuar në promovimin e Shqipërisë në Poloni dhe në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-polake”.