Diaspora shqiptare është tradicionale. Rreth 200 000 njerëz migruan kur osmanët pushtuan tokat shqiptare në shekullin e XV-të. Më vonë, shqiptarët lëviznin brenda territorit osman, dhe mbanin gjithashtu pozita të rëndësishme në strukturat osmane në vende të ndryshme të Perandorisë. Një prej diasporave më të vjetra shqiptare është komuniteti arbëresh në Itali, i cili akoma ruan rrënjët e veta kulturore dhe gjuhësore. Kjo popullatë është pasardhëse e atyre familjeve shqiptare, që udhëhiqnin Shqipërinë në shekullin e XV, kur osmanët pushtuan këtë zonë dhe ata u bën refugjatë kryesisht në Mbretërinë e Napolit.Shekulli i kaluar solli ndryshime të mëdha demokratike në Evropën Lindore. Në Tiranë, në 2 korrik të vitit 1990, qindra shqiptarë, të ndjekur nga qindra të tjerë në ditët në vijim, hynë forcërisht në Ambasadat e huaja të akredituara në Tiranë, kryesisht ato perëndimore, duke kërkuar largimin nga Shqipëria për në vendet ku dëshironin. Ata thyen me këtë akt “Murin shqiptar të Berlinit” që i ndante ata me Evropën duke përshpejtuar fundin e komunizmit 45- vjeçar në vend.Sot, diaspora shqiptare është e pranishme në shtetet evropiane, USA, Kanada, Australi dhe në Afrikë. Në shumicën e vendeve mikpritëse, shqiptarët kanë themeluar organizatat e tyre. Në trajtimin e diasporës shqiptare, organizatat ndërkombëtare fokusohen kryesisht vetëm në atë̈ aktuale. Bëhet fjalë për ata që janë larguar nga Shqipëria dhe Kosova pas rënies së komunizmit në vitet 1990-të dhe më vonë. Ky përkufizim është i mangët dhe nuk përfaqëson realitetin e diasporës shqiptare.
Shumë nga ata që u larguan në vitet ‘90, u bashkuan me familjarët apo miqtë e tyre, që tashmë po jetonin jashtë vendit. Ata u janë bashkuar shoqatave shqiptare, që ekzistonin prej kohësh në shumë vende mikpritëse.
Migrimi mbetet një sfidë e vështirë për institucionet shtetërore dhe shoqërinë shqiptare. Për të institucionalizuar misionin për diasporën, u hartua Strategjia Kombëtare e Diasporës 2021 – 2025, si një instrument, i cili trajton gjendjen e fenomenit migrator dhe diasporës së Shqipërisë. Ajo jep një numër rekomandimesh, të cilat qartësojnë punën e ardhshme të strukturave shtetërore. Qëllimi i Strategjisë Kombëtare është t’i sigurojë Shqipërisë një politikë gjithëpërfshirëse për diasporën dhe vendosjen e saj në një linjë me orientimet e politikës së integrimit të Bashkimit Evropian dhe trajtimin e saj me standardet më të mira ndërkombëtare.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe diplomacia ushtron politikën e saj të jashtme për të identifikuar, adresuar, kontribuar në zgjidhjen e problematikave me të cilat përballet diaspora sot si dhe për të kultivuar opinionin publik në shtetet e tjera.
Politika jonë e jashtme bashkëpunon dhe angazhohet, për ruajtjen e identitetit kombëtar, përmes arsimimit dhe përdorimit të gjuhës amtare, për promovimin e vlerave dhe trashëgimisë kombëtare, si pjesë e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, duke ndihmuar njëherazi, si në integrimin sa më efikas të diasporës shqiptare në vendet pritëse, ashtu dhe në mbajtjen dhe zhvillimin e një profili të qartë kombëtar të saj.
Marrëdhëniet shtet-diasporë janë institucionalizuar edhe me agjencitë shtetërore të diasporës: Agjencia Kombëtare e Diasporës, Qendra e Botimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Qendra e Botimeve për Diasporën, të cilat zhvillojnë dhe konsolidojnë bashkëpunimin institucional me diasporën, mbrojnë të drejtat dhe interesat e pjesëtarëve të diasporës, ofrojnë asistencë për ruajtjen e gjuhës amëtare dhe të trashëgimisë kulturore duke botuar dhe shpërndarë tekste të miratuara shkollore dhe libra të tjerë që do të ndihmojnë për të mësuar dhe për të ruajtur identitetin kombëtar të diasporës shqiptare; kryejnë studime të specializuara për historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh nëpërmjet nxitjes së bashkëpunimit mes studiuesve të fushës vendas dhe në diasporë e më gjerë, me qëllim mbështetjen dhe zhvillimin e strukturës së studimeve mbi komunitetin arbëresh; shpërndajnë informacion dhe organizojnë aktiviteteve të ndryshme për të promovuar bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës si dhe për të promovuar interesat e Shqipërisë.
Marrëdhënia diasporë-shtet është institucionalizuar me ngritjen e Këshillit Koordinues të Diasporës / Këshillin Kordinues të Arsimtarëve, në përbërje të të cilëve janë figurat më të shquara nga rradhët e diasporës, të cilët adresojnë problematikat dhe nevojat e tyre rregullisht në takimet periodike me institucionet shqiptare, orientojnë proceset e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe diasporës shqiptare si dhe mbështesin krijimin e një rrjeti të organizuar të komuniteteve shqiptare midis vendeve pritëse dhe shteteve të origjinës.
Një mbështetje për diasporën shqiptare janë edhe Përfaqësitë Diplomatike dhe Konsullorë të Republikës së Shqipërisë të cilat, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, ndihmojnë me rregullat dhe praktikat e imigrimit në vendet pritëse, përpilojnë raporte periodike për situatën dhe organizimin e diasporës shqiptare si dhe ndërgjegjësojnë qytetarët shqiptarë jashtë vendit për përdorimin e shërbimeve konsullore dhe diplomatike që ofrohen nëpërmjet platformës konsullore elektronike.
Largimi nga vendlindja i njerëzve të kualifikuar është shqetësues dhe fenomeni i “rrjedhjes së trurit” që përfshin akademikët, personat e kualifikuar në fusha të ndryshme, si edhe një numër të konsiderueshëm studentësh shqiptarë që studiojnë në universitete të huaja, vlerësohet si një dëm i zhvillimit social-ekonomik të Shqipërisë, pasi ata janë forca zhvilluese e çdo vendi.
Politika jonë e jashtme synon që të inkurajohen investimet e diasporës në atdhe nëpërmjet:
• evidentimit të gjithë kapaciteteve intelektuale që ndodhen jashtë vendit;
• rrjetëzimit të shoqatave të profesionistëve (juristë, mjekë, sipërmarrës, etj)
• përfshirjes së diasporës në përputhje me synimet dhe interesat e vetë komunitetit të diasporës,
• organizimit të aktiviteteve dhe panaireve që promovojnë turizmin shqiptar dhe lehtësojnë investimet në vend.