Ministri Bushati merr pjesë në takimin e Këshillit të Ministrave të KiE

 

DOKUMENTET BASHKENGJITUR
 

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, mori pjesë në seancën e posaçme të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës në Strasbourg, kushtuar zhvillimeve të fundit në Turqi dhe kontributit të Këshillit të Europës në përballimin e pasojave të tentativës së grushtit të shtetit të korrikut të kaluar. 

Ministrat e pranishëm shprehën solidaritetin e vendeve anëtare të Këshillit të Europës me popullin turk dhe autoritetet e zgjedhura demokratikisht në Turqi. Ministrat shprehën vlerësimin për mbështetjen që Këshilli i Europës do t’i japë Turqisë për të kapërcyer sfidat me të cilat po përballet vendi.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Bushati vlerësoi dhe inkurajoi veprimet e autoriteteve legjitime turke për të rivendosur rend dhe qetësi në përputhje me kushtetutën e vendit. “Jam i bindur se, përtej  vështirësive, Turqia do arrijë të mbrojë dhe të përforcojë sundimin e së drejtës, sipas vlerave dhe standardeve europiane, veçanërisht sipas Konventës Europiane të të  Drejtave të Njeriut”. 

*  *  *  *  *

Në kuadër të vizitës së tij në Strasbourg, Ministri Bushati pati një takim pune me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshilit të Europës, z. Thorbjørn Jagland.

Ministri shprehu vlerësimin e Qeverisë për bashkëpunimin dhe mbështetjen teknike që Këshilli i Europës vijon t’i japë Shqipërisë në fusha të rëndësishme për proceset integruese. “Avancimi i Shqipërisë në fushën e sundimit të së drejtës është evident”, u shpreh z. Jagland.

Në këtë kontekst, bashkëbiseduesit ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit në kuadër të zbatimit të paketës kushtetuese dhe ligjore të reformës në Drejtësi, ku Këshilli i Europës gëzon një ekspertizë solide.

Një fushë tjetër bashkëpunimi të frytshëm është dhe ajo e trajtimit të çështjes së pronave. Sekretari i Përgjithshëm shprehu angazhimin për të vijuar mbështetjen e këtij procesi të rëndësishëm që tashmë ka hyrë në rrugën e një zgjidhjeje përfundimtare.

Një tjetër takim i rëndësishëm në kuadër të punimeve në Strasbourg ishte dhe ai me Komisionerin Europian Johannes Hahn në prag të Këshillit të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE, që do të mbahet ditën e nesërme në Bruksel, për të vlerësuar ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Komisioneri Hahn vlerësoi miratimin e paketës kushtetuese për reformën në drejtësi dhe atë të ligjit për “vetting”-un, çka dëshmon vullnetin e qëndrueshëm politik për të avancuar në këtë proces.

Në kuadër të përpjekjeve për të siguruar rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim, palët ranë dakord mbi rëndësinë e koordinimit të hapave që do të lehtësojnë zbatimin e reformës në drejtësi duke siguruar njëkohësisht avancim edhe në prioritetet e tjera kyçe.

Në kuadër të dialogut të vendosur me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), Ministri Bushati u takua me Presidentin e Gjykatës, z. Guido Raimondi.

Duke vlerësuar reputacionin e GJEDNJ në Shqipëri dhe rolin e saj në përforcimin e sundimit të së drejtës në vendin tonë, Ministri Bushati shprehu, në emër të Shqipërisë, “gatishmërinë e plotë për të thelluar ndërveprimin me GJEDNJ, sidomos në fushën e formimit të gjyqësorit, vecanërisht në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi”.

Bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu mbi eksperiencën e vyer të bashkëpunimit mbi trajtimin e cështjes së pronave si dhe ranë dakord për të strukturuar edhe më shumë marrëdhënien midis Shqipërisë dhe GJEDNJ nëpërmjet forcimit të dialogut gjyqësor.   

Adresa

Ambasada Shqiptare
119049, Ulica Mytnaja, dom 3,
kvartira 8 Moskva, Russia

Tel / Fax

Tel.: +7 495 982 38 52 (3)
Fax.:+7 495 982 38 54
Numri i emergjencës +7 929 968 05 38 (Vetëm për shtetasit shqiptarë)

E-MAIL

embassy.moscow@mfa.gov.al

Orari i pritjes së sektorit konsullor

E hënë- E premte
11:00 - 14:00