Mirëpritëm sot në Ambasadë studiueset e reja të doktoraturës në Universitetin e Elbasanit, “Doktoratë në Albanologji”, Brunilda Ozuni, Denisa Panxhi dhe Adelina Laçi. Vizita e tyre në Beograd u zhvillua në kuadër të projektit Erasmus+ dhe bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Elbasanit dhe Universitetit të Beogradit, përkatësisht Fakultetit të Filologjisë, dega “Albanologji”.
Studiueset nga Shqipëria prezantuan punën e tyre kërkimore dhe ndanë përvojën akademike me studentët që studiojnë në degën e “Albanologjisë” në Universitetin e Beogradit.
Gjatë bashkëbisedimit me Ambasadorin Bardhyl Canaj u diskutua mbi programet e shkëmbimeve studimore në kuadër të projekteve të ndryshme rajonale dhe evropiane. Në këtë kuadër, Ambasadori Canaj theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, si dhe angazhimin e fundit të Universitetit të Elbasanit për të ofruar 20 bursa për studentët nga Lugina e Preshevës.



