Ambasadori Bardhyl Canaj, i shoqëruar nga Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Enkel Rexhepi, realizoi sot një vizitë pune në Medvegjë, duke rikonfirmuar angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Gjatë qëndrimit në Medvegjë, Ambasadori zhvilloi takime me përfaqësuesit shqiptarë në Kuvendin Komunal, ku morën pjesë këshilltarët Bajram Mustafa dhe Arben Ferati, aktivisti Gani Krasniqi, si dhe përfaqësues dhe veprimtarë të tjerë të komunitetit shqiptar. Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet aktuale politike, sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar dhe nevoja për një angazhim më të madh institucional në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tij.
Në kuadër të vizitës Ambasadori Canaj u ndal në Bibliotekën Komunale të Medvegjës, për të cilën Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd do të shqyrtojë mundësitë e mbështetjes me botime të reja në gjuhën shqipe, me synim pasurimin e fondit bibliotekar dhe promovimin e kulturës shqiptare.
Në shenjë respekti për trashëgiminë kulturore dhe historike të kësaj treve, u vizitua punishtja e zonjës Azize Emini në fshatin Tupallë. Me këtë rast, ajo prezantoi historikun dhe vlerat e veshjes tradicionale shqiptare të Medvegjës, një pasuri e çmuar kulturore që vazhdon të ruhet dhe të përcillet me përkushtim ndër breza.
Vizita përfshiu gjithashtu edhe Hotel Onyx në Banjën e Sijarinës, i vetmi hotel në pronësi të shqiptarëve në këtë zonë, i cili përfaqëson një shembull të qëndrueshmërisë, përkushtimit dhe sipërmarrjes së komunitetit shqiptar në Medvegjë.
Qëllimi i vizitës së Ambasadorit Bardhyl Canaj ishte forcimi i komunikimit me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar, njohja nga afër me nevojat dhe sfidat lokale, si dhe promovimi i trashëgimisë kulturore dhe identitetit shqiptar në këtë komunë. Vizita u vlerësua si një dëshmi e interesimit të vazhdueshëm institucional të Shqipërisë për Medvegjën dhe gjithë Luginën e Preshevës, duke përcjellë mesazhin se mbështetja për shqiptarët e Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit do të mbetet e pandërprerë edhe në të ardhmen.



