Presidenti i RSH-së z. Bajram Begaj zhvilloi një vizitë shtetërore në Sllovaki, në datat 19-22 maj 2025, me ftesë të homologut z. Peter Pellegrini. Kjo ishte një vizitë historike, pasi ishte vizita e parë e një Presidenti shqiptar në Sllovaki.
Presidenti z. Begaj gjatë vizitës u takua me Presidentin sllovak z. Peter Pellegrini, me Kryetarin e Kuvendit z. Richard Raši, me Kryeministrin sllovak z. Robert Fico, me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes z. Robert Kaliňák. Po ashtu, më datë 21 maj, gjatë vizitës në Bashkinë Pezinok, u takua edhe me Kryetarin e Bashkisë Pezinok z. Roman Mács.
Gjatë ditëve të qëndrimit të Presidentit Begaj në Sllovaki, në urën kryesore në hyrje të Bratislavës, si dhe në rrugët kryesore të qytetit që të drejtojnë drejt Pallatit Presidencial sllovak, ishin vendosur flamujt e Shqipërisë dhe Sllovakisë, në nder të vizitës së Presidentit.






