Aktivitete të Ambasadës së RSH në kuadër të muajit të Frankofonisë në Bratislavë

Ambasada e RSHnë Bratislavë në bashkëpunim me Ambasadën franceze organizoi shfaqjen e filmit "14 vjeç dhëndërr", në kuadër të aktiviteteve për muajin e Frankofonisë, në ambientet e Institutit Francez. Filmi i përkthyer në frëngjisht, u ndoq me interes nga pjesëmarrës të përfaqësive diplomatike, miq e dashamirës të Shqipërisë e të gjuhës frënge dhe kulturave frëngjishtfolëse, të cilët kanë ndjekur përgjatë këtij muaji ekspozita, debate idesh, koncerte, seminare etj, që përkojnë edhe me Presidencën Franceze të Këshillit të BE-së.
Në fjalën përshëndetëse, Ambasadorja Mërkuri bëri një prezantim të lidhjeve të forta që ekzistojnë në Shqipëri me gjuhën e kulturën në hapësirën frankofone, kontributin e saj si anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë që prej vitit 1999, si dhe rëndësinë që i kushtohet gjuhës frënge në sistemin arsimor shqiptar, pa harruar të evidentonte aktivitetet artistike e kulturore në qytete të ndryshme shqiptare, në bashkëpunim me Aleancën Franceze. Më tej prezantoi veprën e Andon Zako Cajupit, si një poet e dramaturg i njohur i fillim-viteve 1900, me kontribute të rëndësishme në lëvizjen kulturore, politike e sociale të atyre viteve, të njohur si Rilindja Shqiptare. Një vlerësim të vecantë ia dedikoi realizuesit të veprës kinomatografike, regjizorit të njohur Dhimitër Anagnosti, jo vetëm si kineast kurajoz, por edhe si autor skenaresh shumë produktiv përgjatë karrierës së tij 40 vjecare.
Me rastin e mbylljes së Muajit të Frankofonisë, ambasada e RSH Bratislavë u bë një nga organizatorët e darkës së miqësisë frankofone, në mbrëmjen e organizuar nga Ambasada franceze në bashkëpunim me Institutin francez në Bratislavë më 31/03/2022. Ushqime tradicionale shqiptare u ekspozuan krahas atyre të Francës, Zvicrës, Belgjikës, Kanadasë, Irlandës, Bullgarisë dhe Rumanisë.
Në fjalën e rastit ambasadori francez mes të tjerave falenderoi ambasadën e RSH për pjesëmarrjen aktive dhe mbështetjen e veprimtarive të Institutit Francez në Bratislavë. Rreth 200 të ftuar nga përfaqësitë diplomatike dhe institucionet vendase shijuan produkte autentike të gastronomisë shqiptare, që shihet si një faktor i rëndësishëm i promovimit të kuzhinës dhe traditave tona dhe zhvillimin e turizmit në vendin tonë.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ventúrska 277/16,
811 01 Bratislava

Slovak Republic

Tel / Fax

Tel: 004212 638 100 50
Emergency call:
00421 904 801 391

E-MAIL

embassy.bratislava@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00