
Në datën 30. 11. 2017, në ambjentet e Pallatit të Mirbahohëve, (Galeria Kombetare Historike Sllovake), për herë të parë që pas çeljes së Përfaqësisë së Rsh-së në Bratislavë, u zhvillua një aktivitet festiv me rastin e 105 vjetorit të Pavarësisë dhe 73 vjetorit të Clirimit.
Në këtë event, u përcollën rreth 150 ftesa për autoritetet zyrtare, trupin diplomatik dhe institucione të tjera sllovake, ndërkohë që për komunitetin ftesa ishte kolektive përcjllë dhe shpërndarë përmes shoqatës së shqiptarëve të Sllovakisë, si dhe forumeve shqiptare që ekzistojën në Bratislavë.
Nga të ftuarit morën pjesë Këshilltari i Presidentit Kiska, z. Vit Koziak, Kryetarja e grupit parlamentar te Miqësisë shqiptaro-sllovake, J. Lassakova, (deputete e shumicës SMER), Nënkryetarja e Bashkisë së Bratislavës, L. Farkassovska, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, znj. Emilia Krasikova, Nënsekretari i Ministrisë së Trasnportit, Infrastrukturës e Turizmit, i ngarkuar me cështjet e turizmit, znj. L. Sprochova. Nga Ministria e Evropës dhe Punët e Jashtme morën pjesë, Drejtori i ri Politik, z. Marian Jakubacy, Drejtori i ri i Përgjithshëm për OKB dhe Org. Ndërkombëtare, z. F. Roscoha, Drejtori per vendet e Ballkanit Perendimor, H. Markus, Drejtorja e Pergjithshme per Bashkëpunimin Ekonomik, znj. I. Brackova, Drejtorja e Protokollit te Shtetit, znj. K. Szabova, etj.
Përvec një pjesëmarrje të gjerë të trupit diplomatik të akredituar në Bratislavë, ishin prezentë edhe shumë pjesëmarrës të mediave vendase, të forumeve e think tankëve të ndryshëm të angazhuar kryesisht me politikën e jashtme, përfaqësues të shoqërisë civile, të Unionit të Shkrimtarëve, nga rrethet akademike, miq e dashamirës së Shqipërisë. Një pjesmarrje të gjerë kishte edhe nga Komuniteti shqiptar, nga treva të ndryshme shqiptare që jetojnë e punojnë prej vitesh në Sllovaki, të cilët ishin të entuziazmuar për organizimin për herë të parë të një ceremonie zyrtare për Festën Kombëtarë të Shqipërisë.
Ceremonia zyrtare filloi më një koncert me pjesmarrjen e solistes së mirënjohur çeke, Michaela Zajmi, së bashku me violincelistin e njohur shqiptar, Bledar Zajmi, të cilët interpretuan për pjesëmarrësit pjesë klasike të njohura Shqiptare dhe Sllovake.
Pritja u hap me Himnin kombëtar të Shqipërisë dhe më pas të Sllovakisë. Më tej Ambasadorja e RSh-së në Bratislavë, Enkeleda Mërkuri në fjalën e saj hapëse evidentoi rëndësinë e datës 28 nëntorit si ditën e pavarësisë së Shqipërisë, duke nënviuzuar se ky 105 vjetor i pavarësisë i hap rrugë edhe vitit kombëtar të Skënderbeut (viti 2018). Gjithashtu Ambasadorja Mërkuri evidentoi se sot, pas 105 vitësh, ky përvjetor i gjen shqiptarët si komb më të fortë, më të konsoliduar dhe më të sigurt për të ardhmen euro-atlantike.
Më tej u fokusua tek niveli i shumë i mirë i marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Sllovakisë, kjo e fundit një mbështetës i vazhdueshëm i rrugëtimit të Shqiptarisë drejt BE-së, si dhe vende partnere në NATO. Në këtë kuadër, Ambasadorja Mërkuri theksoi se marrëdhëniet bilaterale u vendosën me Republikën Sllovake në 4 janar të vitit 1993, duke u bërë kështu nga vendet e para që njohën në mënyrë të qartë, pavarësinë e Republikës Sllovake, pas shpërbërjes së Çekosllovakisë.
Për sa i përket marrëdhënieve dypalëshe u theksua se Shqipëria dhe Sllovakia kanë ndërtuar tashmë një dialog të mirë e të vazhdueshëm, veçanërisht vitet e fundit përmes shkëmbimit të vizitave të ndërsjellta në nivele të larta e shumë të larta, duke sjellë në këtë mënyrë rritje të shkëmbimeve midis dy popujve, veçanërisht në fushën e Turizmit, ku ka patur një rritje tepër të madhe të qytetarëve sllovakë në Shqipëri, por edhe anasjelltas.
Gjithashtu Ambasadorja Mërkuri evidentoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të nxitur më tej këtë marrëdhënie dhe po bëhen përpjekje për të intensifikuar dialogun politik dhe frymën miqësore, duke shpresuar që kjo frymë të materializohet më mirë në fushat me interes të ndërsjellë ekonomik, ku të dyja vendet kanë potencial jo të vogël.
Në fund të pritjes u shtrua edhe një “banket”, në ambientin muzeal të Galerisë, ku të ftuarit patën rastin të takoheshin dhe të shkëmbenin bisedime miqësore.