I nderuar zoti Kryeministër,
Të dashura kolege Mimi, Arta,
Të nderuar përfaqësues të trupit diplomatik,
Viti që po lëmë pas ishte padyshim viti i rritjes së mosbesimit, i pasigurisë dhe i pa-parashikueshmërisë. Kërcënimet nga lindja e nga jugu,
Rreziku i përhershëm terrorist në Europë e në Mesdhe,
Më tej, pakënaqësitë shoqërore që burojnë nga pasojat e globalizimit kanë krijuar hapësirë për lëvizjet identitare,
Të gjitha këto kanë venë në pikëpyetje modelin e zhvillimit por edhe arkitekturat e ndryshme të bashkëpunimit dhe ndërveprimit.
Në këtë kontekst, jemi përballë dy sfidave të mëdha:
1) Si të përforcojmë rendin rajonal;
2) Si të bëjmë të mundur që pasiguria kolektive mos të pengojë mbarëvajtjen e proceseve integruese.
Duke i shërbyer këtyre dy dimensioneve, ne kemi:
Materializuar më tej partneritetin Strategjik me Shtetet e Bashkuara,
Kemi rritur angazhimin tonë konkret brenda NATO-s,
Kemi forcuar marrëdhëniet me vendet dhe institucionet e BE-së,
Në kuadër të Procesit të Berlinit me Gjermaninë, Italinë, Austrinë e Francën, kemi ndërtuar një partneritet shumëdimensional,
Sikundër me vendet e Vishegradit,
Dhe në tërësi, kemi zgjeruar gjeografinë e veprimit tonë në botë, përfshirë edhe në planin shumëpalësh.
Por nuk mund t’i fshihemi faktit se, sfidat ndaj sigurisë në tërësinë e hapësirës euroatlantike janë shtuar dhe nuk janë asnjëherë larg.
Të nderuar miq,
Ne nuk e mendojmë asnjëherë sigurinë si diçka të dhënë. Për rrjedhojë çdo masë që redukton "zonat gri" të sigurisë përreth nesh është një investim i rëndësishëm edhe për të adresuar brishtësinë që rezulton ndaj proceseve të ngrira demokratike apo të shtet-ndërtimit, si dhe mungesën e përcaktueshmërisë euroatlantike që ende ndjehet në pjesë të rajonit.
Procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, që Shqipëria e ka mbështetur pa rezervë në kuadër të politikës së “dyerve të hapura të Aleancës”, do të zgjerojë më tej hapësirën e sigurisë. Pikërisht këtë dimension kemi parasysh kur theksojmë nevojën e institucionalizimit të marrëdhënieve të Aleancës me Kosovën, dhe zbatimin e vendimeve të marra në Samitin e Varshavës.
Duke u dhënë çështjeve të sigurisë këtë vend qendror, angazhimi ynë në kuadër të Aleancës është rritur në një sërë drejtimesh:
Kemi shtuar kontingjentin tonë në Afganistan,
Kemi iniciuar pjesëmarrjen në operacionin në Egje,
Kemi intensifikuar luftën ndaj ekstremizmit dhe terrorizmit ndërkombëtar,
Së bashku me disa vende të tjera anëtare, Shqipëria do të jetë pjesë e një batalioni shumëkombësh të drejtuar nga Kanadaja, i cili do të dislokohet në Letoni në kuadër të angazhimeve për sigurimin e kufijve të aleancës por edhe jashtë saj. Paralelisht, vendi ynë do të shtojë ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm edhe pjesëmarrjen e tij në Misionin e NATO-s në Kosovë – KFOR,
Në janar të vitit 2017 pritet të materializohet edhe dërgimi i një kontingjenti ushtarakësh shqiptarë në Irak, në kuadër të misionit stërvitor të Aleancës.
Një tjetër kryefjalë e zhvillimeve gjatë 2016 ka qenë dhe Procesi i Berlinit, i kthyer tashmë në një katalizator shtesë për integrimin europian.
Në korrikun e kaluar, përpos shokut të krijuar nga referendumi britanik, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vendosën krijimin e një mekanizmi të ri bashkëpunimi, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor, RYCO, duke e shtrirë bashkëpunimin rajonal në një aspekt dhe hapësirë të munguar.
Siç e dimë, asgjë nuk e ka jetën më të gjatë sesa paragjykimet dhe në këtë drejtim do të duhet punë e përpjekje të vazhduara nga të gjithë ne.
Të njëjtën frymë kemi investuar edhe për iniciativën simotër, Fondin e Ballkanit Perëndimor, po me seli në Tiranë, i cili synon financimin e projekteve të vogla dhe të mesme në fusha si arsimi, kultura, mjedisi, bashkëpunimi ndërkufitar.
Zonja e zotërinj,
Strategjia e zgjerimit e paraqitur në nëntor dhe formulimi i rekomandimit për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë evidenton qartë progresin tonë të vazhdueshëm, për të tretin vit radhazi.
Këtë prirje e dëshmojnë edhe raportet mbi sundimin e ligjit në ekonomi, të Bankës Botërore apo të agjencive ndërkombëtare. Ruajtja e kësaj prirje është e vetmja rrugë suksesi për ne.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm se ndarjet që janë përvijuar në BE këto muajt e fundit prekin jo vetëm funksionimin e saj, por edhe projektimin e saj në të ardhmen duke cënuar kapacitetet e saj për të vepruar.
Por bashkëpunimi i suksesshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë vitit që po lëmë pas ka dëshmuar se rajoni mund të përbëjë një hallkë të fortë për sigurinë e kontinentit.
Në një kontekst pasigurie të theksuar, ky bashkëpunim përbën lajm të mirë, çka duhet reflektuar në vijimin e procesit të zgjerimit, pasi BE-ja duhet të ruajë një qasje pozitive më strategjike në rajon, në mënyrë që integrimi në BE mos të kthehet në një proces teknik dhe pa shpirt politik.
Është e rëndësishme që shoqëritë tona të sigurohen se Ballkani Perëndimor nuk do të përfundojë si dëm kolateral në procesin e kërkimit të së ardhmes evropiane.
Ne besojmë se kemi një përgjegjësi të përbashkët sepse ashtu jemi angazhuar: duke bërë reformën në drejtësi, të paprecedentë të krahasuar me vendet e rajonit, duke forcuar bashkëpunimin rajonal si dhe duke u linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian ku rekordi ynë siç dihet është 100%.
Komisioni Europian ka vënë në dukje rëndësinë e veçantë të zbatimit të ligjit të Vetting-ut si bazë e reformës në drejtësi dhe ndikimin që do të ketë në përmbushjen e plotë e prioriteteve të tjera kyçe që do të na shoqërojnë edhe gjatë procesit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Sot, gjej rastin të shpreh mirënjohjen për të gjitha vendet anëtarë të Bashkimit Europian dhe në veçanti për presidencën, duke qenë se për herë të parë konkluzionet e procesit të zgjerimit vijnë në trajtën e një deklarimi të presidencës së Bashkimit Europian, ku jo vetëm konfirmohet qasja e Komisionit Europian për sa i përket rekomandimit për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Nga ana tjetër i jepet Komisionit edhe një detyrë për të ndërvepruar mbi Shqipërinë qoftë në planin teknik për të lehtësuar zbatimin e reformës në drejtësi, por i jepet gjithashtu një shans Shqipërisë, qeverisë, faktorëve politikë parlamentarë dhe jo-parlamentarë për të zbatuar reformën në drejtësi në mënyrë që Komisioni Europian të ketë mundësi të paraqitet përpara vendeve anëtare, veçmas nga paketa e zgjerimit për një raport të ndërmjetëm më lidhje me përmbushjen e kriterit.
Zonja e zotërinj,
Disa vite më parë, shumëkush vinte në dyshim të ardhmen e diplomacisë, politikës së jashtme si rezultat i progresit teknologjik. Eksperienca në shekullin XXI tregoi se progresi teknologjik nuk e kufizon dot, në fakt, rolin e politikës së jashtme.
Sfida e diplomacisë sot është që t’i kthejë zhvillimet e shpejta në shërbim të misionit tonë, duke u bazuar gjithnjë e më shumë mbi faktet dhe jo mbi zhurmën. Kjo është e vetmja mënyrë për të bërë histori, duke u përballur haptazi me të.
Konkurrenca nga aktorë të tjerë është vërtetë e ashpër: sektori privat, grupet e interesit apo subjekte të shoqërisë civile që sjellin ujë në mullirin e perceptimeve. Edhe në këto raste, besoj se politika e jashtme shqiptare ia ka dalë që ta pasurojë misionin dhe punën e saj duke bërë, në shumicën e rasteve, zgjedhje të mirëmenduara.
Dëshiroj të ndaj me ju disa fjalë nga një intervistë e fundit e Henry Kissinger, të cilat në fakt tingëllojnë si këmbanë alarmi por edhe si këmbanë shprese: “We have to have faith in ourselves. That is an absolute requirement. We can't reduce policy to a series of purely tactical decisions. The fundamental strategic question is: What is it that we will not permit, no matter how it happens, no matter how legitimate it looks?”
Duke përfunduar dhe përpara se të ftoj dekanin e trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, dëshiroj t’ju uroj të gjithëve gëzuar festat e fundvitit dhe urimet më të mira për ju dhe familjet tuaja, për vendet të cilët ju përfaqësoni dhe për një vit të ri të mbarë e me më shumë parashikueshmëri dhe sa më të begatë e sa më të paqtë për të gjithë.
Ju faleminderit!