Fjala e Ministrit Ditmir Bushati në Konferencën mbi “Kundër-terrorizmin”

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni të filloj duke falënderuar Institutin Ndërkombëtar për Kundër-terrorizmin (ICT) dhe themeluesin e saj, Profesor Boaz Ganor, i cili na mblodhi së bashku për të ndarë mendimet tona mbi një nga çështjet më komplekse të kohës sonë, si dhe për të shkëmbyer informacione dhe praktika mbi kontributin tonë të vendosur dhe të vazhdueshëm në përpjekjet e përbashkëta globale për të luftuar kërcënimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Gjithashtu jam i kënaqur që po kthehem për herë të katërt në Izrael, një vend që ka treguar një vendosmëri të pashembullt dhe ka arritur të ndërtojë një shoqëri pluraliste solide dhe të hapur, pavarësisht klimës së trazuar në rajon. Duke qenë në të njëjtën kohë një vend që është ekspozuar ndaj akteve të ndryshme të terrorizmit, mendojmë se kemi shumë për të diskutuar dhe për të mësuar këtu.

Ne ndajmë me Izraelin jo vetëm identitetin e një vendi në pika takimi – si gjeografikisht ashtu edhe nga ana kulturore – të rajoneve, por edhe faktin se jemi vende të vogla të vendosur në mjedise ku siguria kërcënohet, të cilat në vetvete sigurojnë nxitje për ekosistem të terrorizmit dhe fenomene të lidhura me to.

Por më e rëndësishmja, dy vendet tona dhe popujt tanë ndajnë një histori të përbashkët të vuajtjes, solidaritetit dhe ruajtjes së shpirtit njerëzor gjatë ditëve të errëta të Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët ndryshe nga evropianët e tjerë në atë kohë shpëtuan mijëra hebrenj, duke lënë mënjanë ndryshimet etnike ose fetare por duke u udhëhequr nga ajo që është më fisnike e shpirtit njerëzor. Ky shpirt i solidaritetit njerëzor duhet të vazhdojë të na udhëheqë kur ballafaqohemi me kërcënime të liga si terrorizmi, ekstremizmi dhe çdo lloj ideologjie totalitare.

 

II

Të nderuar kolegë

Gjatë viteve të fundit, bota ka përjetuar nivele ekstreme të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Ata kanë dëmtuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, kanë shkaktuar vuajtje të padurueshme për individët, grupet dhe komunitetet, kanë përkeqësuar më tej konfliktet dhe kanë destabilizuar të gjitha rajonet, duke u bërë kështu pengesë serioze për një jetë dhe zhvillim normal. Me ngjarjet në Siri dhe Irak dhe shfaqjen e të ashtuquajturit ISIL, kjo sfidë komplekse globale ka arritur nivele të paprecedentë.

Shqipëria është përfshirë vazhdimisht në adresimin e kësaj sfide globale. Ne u bashkuam menjëherë me Koalicionin Global dhe ishim të kënaqur që do të mund të ndihmonim konkretisht Qeverinë e Irakut në përpjekjet e saj. Ne gjithashtu kemi paraqitur ligje të reja në përputhje me rezolutat e rëndësishme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që adresojnë kërcënimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Kemi forcuar kuadrin tonë ligjor dhe kemi fuqizuar agjencitë tona të zbatimit të ligjit; i kemi kushtuar vëmendje të veçantë aspekteve të ndryshme të rëndësishme, si luftës ndaj financimit të terrorizmit, përmirësimit të sigurisë së kufirit, shkëmbimit rajonal dhe ndërkombëtar të inteligjencës dhe informacionit, si dhe bashkëpunimit gjyqësor. Përveç kësaj, ne kemi arritur një rekord të mirë të dhënash në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të lidhura me terrorizmin, bazuar në ligjet lidhur me terrorizmin.

Gjatë dy viteve të fundit, të gjithë kemi bërë progres të jashtëzakonshëm në mposhtjen e ISIL-it në Irak dhe Siri. Kalifati është një gjë e së kaluarës dhe ka një rënie drastike të numrit të luftëtarëve të huaj të terrorizmit dhe të akteve të terrorizmit. Megjithatë, raportet tregojnë se mijëra luftëtarë janë ende të angazhuar ushtarakisht dhe se kërcënimi i ISIL mbetet një kërcënim serioz: vazhdon të planifikojë dhe të frymëzojë sulme, të radikalizojë dhe të rekrutojë.

Kundërshtimi i terrorizmit nuk është dhe nuk do të jetë e lehtë, por nuk ka alternativë tjetër dhe ne nuk duhet të ndihemi të dekurajuar. Ashtu si rrjetet e terroristëve të cilat janë ndërkombëtare, po kështu duhet të jetë edhe bashkëpunimi ynë.

Ne duhet të forcojmë sigurinë kufitare dhe shkëmbimin e informacionit dhe t’i përkushtojmë përpjekje të fuqishme ri-integrimit të luftëtarëve të huaj terroristë të cilat janë kthyer dhe zhvendosur, si dhe familjeve të tyre. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme duke marrë parasysh kthimin dhe zhvendosen e luftëtarëve të huaj terroristë nga fusha e betejës.

Me Izraelin, në veçanti, bashkëpunimi dhe koordinimi i ngushtë midis agjencive tona të inteligjencës dhe sigurisë kombëtare ka rezultuar thelbësor. Falë bashkëpunimit serioz me homologët tanë izraelitë dhe partnerë të tjerë, ne arritëm të parandalonim me sukses një komplot të rrezikshëm terrorist kundër ekipit izraelit të futbollit që luante në Shqipëri. Por kjo nuk është arsyeja pse ne fituam në futboll kundër Izraelit.

III.

Përpos kërcënimit kryesor të terrorizmit që vjen nga ISIL, duke qenë se jemi të vendosur në Mesdhe, ne gjithashtu përballemi me një gamë të gjerë sfidash të reja të paparashikuara dhe të përhapura të sigurisë, të cilat mund të krijojnë një mjedis të favorshëm për terrorizmin dhe ekstremizmin, siç janë:

  • emigracioni;
  • rritja e krimit të organizuar ndërkombëtar dhe sundimi i dobët i ligjit;
  • ideologji ekstremiste dhe shkatërruese;
  • mungesa e perspektivave, zhvillimit dhe ndërlidhjes së të rinjtë të rajonit tonë.

Përballë këtyre sfidave, krijimi i partneriteteve të reja, si dhe forcimi i bashkëpunimit me fqinjët dhe aleatët ekzistues është thelbësore për sigurinë tonë kombëtare dhe atë të mjedisit tonë përreth.

Si një vend anëtar i NATO-s dhe një vendi kandidat për në BE, Shqipëria bashkëpunon ngushtë me një numër të madh partnerësh të tjerë, në nivel dypalësh, rajonal dhe evropian dhe jo më pak në platformat multilaterale, për trajtimin e forcave e fuqishme dhe favorizuese për terrorizmin dhe fenomenet të kësaj natyre.

Kështu, kontributi ynë si një aleat i përpjekjeve kolektive në luftën kundër migracionit të paligjshëm në Mesdhe është i rëndësishëm: që prej nëntorit 2016, Shqipëria është pjesë e misionit detar të NATO-s në Egje, me qëllim që të ndihmojmë FRONTEX-in e BE-së për të ndaluar kontrabandimin e emigrantëve. Në këtë kontekst, bashkëpunimi ynë me Italinë është një rast shembullor i solidaritetit dhe i partneritetit të ngushtë midis dy vendeve të Mesdheut. Vetëm javën e kaluar kemi vendosur të japim një kontribut të dobishëm dhe t’i përgjigjemi thirrjes së autoriteteve italiane për strehimin në vendin tonë të 20 emigrantëve nga Eritrea që kishin ikur nga lufta dhe kishin mbetur të bllokuar me ditë të tëra në anije në Katania.

Ne e kemi kuptuar herët se duhet të punojmë me vendet e rajonit, me fqinjët tanë të afërt: Shqipëria e përfshiu terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm në agjendën rajonale të Ballkanit Perëndimor gjatë Kryesisë tonë të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në vitin 2015.

Prandaj, bashkëpunimi rajonal për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në Evropën Juglindore është fuqizuar vetëm gjatë viteve të fundit dhe tani kemi një rrjet të plotë të koordinatorëve kombëtarë për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm.

Ne kemi krijuar një Qendër Rajonale për koordinimin e veprimeve në fushën e kundërveprimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe ne jemi duke punuar me një numër partnerësh nga BE-ja si Holanda, Mbretëria e Bashkuar (deri në BREXIT), si dhe me partnerë të rinj nga Lindja e Mesme, si Jordania për të ndarë përvojat dhe krijuar njohuri më të mira të kontekstit të radikalizmit dhe ekstremizmit.

Si pjesë e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara, tani kemi një bashkëpunim të strukturuar në fushën e shkëmbimit të të dhënave dhe bashkëpunimit midis inteligjencës sonë.

Në fushën e azilkërkuesve dhe krimit të organizuar po punojmë shumë ngushtë me një numër agjencish të zbatimit të ligjit nga shtetet anëtare gjithashtu, si Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Holanda.

III.

Të nderuar kolegë,

Ne të gjithë e dimë se askush nuk ka lindur terrorist dhe sjellja e dhunshme nuk është në gjenet tona apo në psikologjinë kombëtare. Prandaj është shumë e rëndësishme të kuptojmë nxitësit e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Përvoja ka treguar se faktorë të ndryshëm si mungesa e mundësive, varfëria, padrejtësia sociale dhe margjinalizimi luajnë një rol në nxitjen e dhunës dhe shumë shpejt mund të transformojnë ankesat në ekstremizëm dhe radikalizëm, siç kemi parë të ndodhë në shumë pjesë të botës.

Prandaj, është me rëndësi të madhe që t’i vendosim përparësi masave parandaluese duke adresuar nxitjet që favorizojnë apo çojnë në ekstremizëm të dhunshëm që nxit terrorizmin. Parandalimi, si linja e parë e mbrojtjes, është një investim jetik për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Këtu do të doja të përmend tre faktorë kryesorë:

  • Zhvillimi ekonomik,
  • Ndërlidhshmëria dhe,
  • Arsimi.

Një fokus më i theksuar në lidhje me zhvillimin dhe sigurinë në rajonin tonë dhe midis rajoneve tona, në hapësirën Mesdhetare-Adriatike mbetet e rëndësishme. Përmes një programi ambicioz të reformës ekonomike, qeveria shqiptare po përqendrohet në përmirësimin e standardeve të jetesës dhe të ardhmen e brezave tanë.

Megjithatë, dhe kjo është pika ime e dytë, duke qenë ne vende të vogla dhe në afërsi të BE-së, e dimë se përmirësimi i ekonomisë kombëtare nuk mjafton: ne kemi nevojë për më shumë ndërlidhje me pjesën tjetër të rajonit dhe Bashkimin Evropian. Në Ballkanin Perëndimor ne po punojmë për largimin e pengesave politike për integrimin ekonomik të rajonit.

Së treti, ne duhet të bëjmë gjithçka është e nevojshme për të prishur lidhjen mes radikalizmit dhe terrorizmit duke adresuar siç duhet çështjet e ndryshme dhe komplekse në mjedise ku ushqehen akte terroriste. Duhet të ndërmarrim një “qasje gjithëpërfshirëse të shoqërisë” duke u angazhuar me shoqërinë civile, komunitetin dhe udhëheqësit fetarë, dhe sigurisht të rinjtë.

Përvoja na ka mësuar që për të qenë të suksesshëm në përpjekjet tona, nuk mund të mbështetemi vetëm në ndjekjen penale, por duhet gjithashtu të bëjmë përpjekje serioze për komunikim dhe edukim me qëllim që të luftojmë narrativat terroriste, të angazhohemi me komunitetet e tjera dhe të forcojmë kohezionin social.

Sipas pikëpamjes sonë, midis mjeteve të ndryshme në dispozicionin tonë, arsimi mbetet çelësi për formimin e qëndrueshmërisë ndaj ndikimeve të rrezikshme. Informacioni dhe zhvillimi i të menduarit kritik nënkupton fuqizimin e aftësisë së fëmijëve dhe të rinjve për të kuptuar botën dhe kompleksitetin e saj dhe të mos lenë asnjë vend për narrativa të cilat shkaktojnë përçarje shoqërore ose fetare, të cilat siç e dimë, nxisin radikalizmin që çon në terrorizëm.

Për këtë qëllim, ne kemi zhvilluar kurrikula shtesë për studentët për të mësuar më shumë rreth fesë. Ne po i trajnojmë mësuesit tanë për përforcimin e diskutimeve që kanë për qëllim respektimin e dallimeve dhe nxitjen e lirive fetare, si dhe nxjerrjen në pah të përfitimeve të kohezionit social për të luftuar narrativat ekstremiste, ksenofobinë dhe gjuhën e urrejtjes. Ne po përpiqemi të krijojmë një marrëdhënie më të mirë mes shkollave dhe komunitetit, në mënyrë që të përfshihen më shumë aktorë të rëndësishëm si familjet dhe udhëheqësit e komunitetit.

Ne e vlerësojmë shumë përfshirjen e kapitullit mbi Holokaustin në Shqipëri në tekstet e historisë së shkollave izraelite, ku përshkruhet kontributi i shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sikurse i ndjeri Shimon Peres i vuri në dukje Kryeministrit Rama tre vjet më parë gjatë vizitës së tij në Izrael: “Në ditët e sotme vogëlsia dhe madhështia nuk maten nga madhësia e tokës apo numri i shtetasve. Ajo matet me vlerat dhe edukimin e një vendi”.

Në këtë kontekst, ne duhet të përdorim dhe të përmirësojmë lidhjen dixhitale midis të rinjve tanë me synimin mbrojtjen e tyre nga ideologjitë ekstremiste. Ne duhet ta përdorim këtë armë të quajtur teknologji për të emancipuar dhe çliruar, dhe jo të krijojë forma të reja të përjashtimit, ksenofobisë, nacionalizmit etnik, sjelljes ekstremiste, dhe kështu me radhë. Është një thikë me dy presa dhe ne duhet të mësojmë se si ta përdorim atë për të mirën dhe elasticitetin e shoqërive tona.

Në Shqipëri kemi një pasuri kombëtare të veçantë e të çmuar për ta ruajtur dhe zhvilluar më tej: shpirtin tonë të tolerancës shekullore, harmoninë fetare dhe respektin.

Ajo është kaluar brez pas brezi nga paraardhësit tanë dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Asgjë nuk duhet të vijë për ta dëmtuar atë; ndërkohë që e shohim harmoninë fetare dhe mirëkuptimin si një çështje të sigurisë kombëtare, mendojmë se është treguar gjithashtu shembulli i një shoqërie që ka qenë në gjendje të gjejë mënyrën më të mirë për të nxitur lidhjet e forta shoqërore, për të formuar qëndrueshmëri dhe për t’i rezistuar sirenave të mosmarrëveshjeve dhe urrejtje.

Ne bëjmë më të mirën me kulturën tonë tradicionale të tolerancës dhe harmonisë ndërfetare për të parandaluar radikalizmin e të rinjve tanë.

Ishte ky realitet, kjo klimë e bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërmjet llojeve të ndryshme të feve në vendin tonë të vogël, gjë që e shtyu Papa Françeskun të lavdërojë Shqipërinë me fjalët e mëposhtme, me të cilat dëshiroj ta mbyll fjalën time sot:

“Ajo që po ndodh në Shqipëri tregon se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme midis njerëzve dhe komuniteteve me përkatësi të ndryshme fetare nuk është vetëm e dëshirueshme, por e mundshme dhe reale. Kjo është diçka me vlerë që duhet të mbrohet dhe të ushqehet çdo ditë, duke siguruar një edukim që respekton dallimet dhe identitetet e veçanta, në mënyrë që dialogu dhe bashkëpunimi për të mirën e të gjithëve të promovohet dhe të forcohet. Është një dhuratë që ne duhet t’i lutemi Zotit në lutje”.

Faleminderit!

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ventúrska 277/16,
811 01 Bratislava

Slovak Republic

Tel / Fax

Tel: 004212 638 100 50
Emergency call:
00421 904 801 391

E-MAIL

embassy.bratislava@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00