Grupi i Vishegradit dhe Ballkani Perëndimor: Rritja e bashkëpunimit drejt një të ardhmeje të përbashkët.

Grupi i Vishegradit dhe Ballkani Perëndimor: Rritja e bashkëpunimit drejt një të ardhmeje të përbashkët.

Ne muajin prill ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia) dhe Komisioni i BE-së u takuan në Durrës, në bregdetin Adriatik të Shqipërisë, për të përmirësuar bashkëpunimin e tyre, teksa rajoni synon të intensifikojë agjendën e anëtarësimit në BE.

Gjatë dy viteve të fundit, rajoni ynë është fokusuar në zhvillimin e përbashkët dhe konkret të projekteve të ndërlidhjes, me ndihmën e kuadrit të Procesit të Berlinit të samiteve vjetore të Ballkanit Perëndimor, iniciuar nga Gjermania në vitin 2014, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të BP në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, në kushtet e klimës së një Evrope gjithnjë e më të fragmentuar mbi kapacitetet e saj për të kapërcyer me sukses sfidat aktuale, agjenda e zgjerimit të BE-së mund të humbasë vrullin e saj. Ekziston vërtet një rrezik që efektet e përhapjes së krizës ekonomike, migratore e të sigurisë në Evropë mund të nxisin paqëndrueshmëri të mëtejshme në Ballkanin Perëndimor, ku proceset e rëndësishme shtet-ndërtuese dhe reformat janë ende në proces. Disa vjet më parë, vendet e V4 vendosën të përdornin ndikimin e tyre kolektiv, si anëtarë të rinj e të suksesshëm të BE-së, për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor të transformohet në një rajon të vërtetë në aspektin politik, ekonomik dhe atë të sigurisë.

Tashmë, ky angazhim ka filluar të japë frytet e tij. Në nëntor të vitit 2015, në Pragë, vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan marrëveshjen për krijimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor (FBP), një fond rajonal me qendër në Tiranë, sipas modelit të suksesshëm të Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit. Lançimi i FBP ishte një tjetër dëshmi sesi vështirësitë dypalëshe në Ballkanin Perëndimor, të trashëguara nga vitet ’90, mund të tejkalohen nëse vullneti politik përputhet me instrumentet dhe mbështetjen e duhur. Përveç asistencës së ekspertëve për të lehtësuar fillimin e funksionimit të FBP, Grupi i Vishegradit u angazhua në Pragë për të eksploruar, së bashku me partnerët e Ballkanit Perëndimor, mundësi të mëtejshme për bashkëpunim ndërmjet V4-WB6.

Bashkëpunimi rajonal është njëherazi kusht kyç për anëtarësim të plotë në BE dhe një hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve tregtare dhe kredencialeve të shtet-ndërtimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë aspekt, procesi i Berlinit ka qenë i rëndësishëm në vendosjen e lidhjeve më të ngushta midis vendeve të rajonit, duke siguruar mbështetje politike dhe financiare për mjaft projekte ndërlidhjeje në fushën e infrastrukturës, energjisë, tregtisë, punësimit dhe rinisë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arsye për të qenë krenarë mbi arritjet e tyre në një periudhë relativisht të shkurtër kohore, duke pasur parasysh të kaluarën aspak të largët të konflikteve ndëretnike në rajon. Por e gjitha kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa perspektivën e integrimit në BE. Njëlloj si me vendet e Grupit të Vishegradit, bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është një mekanizëm jetik për të përshpejtuar anëtarësimin e rajonit në BE.

Larg nga "rajonalizmi i zbrazët", Grupi i Vishegradit mund të veprojë më së miri si një model i sundimit të ligjit në ekonomi dhe shtetndërtimit demokratik në Ballkanin Perëndimor. "Gjenialiteti i bashkëpunimit rajonal" ishte gjithashtu pjesë e vizionit të Vaclav Havelit për një Evropë të lirë, të paqtë dhe të bashkuar, ashtu si qasja e tij dinamike mbi grupimet rajonale që bashkëveprojnë për ruajtjen e vlerave dhe sigurinë e demokracisë.

Kriza e refugjatëve dhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit kanë bërë që BE-ja dhe Ballkani Perëndimor të përjetojnë e të kuptojnë sesa të ndërvarur jemi. Është mjaft e rëndësishme që kjo ndërvarësi të përkthehet në angazhim të zgjeruar me vendet e Ballkanit Perëndimor, për t'i ndihmuar ato në finalizimin me sukses të praktikave të tyre demokratike të shtet-ndërtimit.

Vijimi i "Procesit të Berlinit" dhe arritja e rezultateve konkrete, teksa rajoni përgatitet për Samitin e Ballkanit Perëndimor të Parisit në korrik, do të jetë veçanërisht i rëndësishëm gjatë muajve te ardhshëm. E vetëdijshme për rolin e saj si një shtyllë e stabilitetit rajonal, Shqipëria të vijojë punën për heqjen e të gjitha pengesave për bashkëpunimin efikas rajonal, si dhe për përafrimin e plotë të rajonit me BE-në.

Vendet e V4 në tërësi me siguri mund dhe do të ndihmojnë në sigurimin e mbështetjes së nevojshme, në mënyrë që rritja e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor të jetë një mekanizëm i suksesshëm i cili do të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin nën të njëjtën çati evropiane.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ventúrska 277/16,
811 01 Bratislava

Slovak Republic

Tel / Fax

Tel: 004212 638 100 50
Emergency call:
00421 904 801 391

E-MAIL

embassy.bratislava@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00