Konferenca e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë është platforma më e lartë e diskutimit për politikën e jashtme, ku përfaqësuesit tanë në botë takohen dhe ndajnë pikëpamje me autoritetet më të larta te vendit, të cilët ndikojnë në hartimin dhe orientimin e politikës sonë të jashtme.
Në këtë aktivitet do të jenë të ftuar rreth 350 pjesëmarrës, ndër të cilët ministra, parlamentarë, vendimmarrës evropianë edhe studiues shqiptarë e të huaj nga BE-ja, SHBA-ja, Rusia, Turqia, rajoni etj.
Konferenca synon të zhvillojë debatin mes diplomatëve, studiuesve, opinion-bërësve dhe vendimmarrësve mbi zhvillimet më të fundit në arenën globale, evropiane e rajonale, në funksion të zhvillimeve të brendshme dhe përmirësimit të aktivitetit diplomatik në tërësi.
Disa nga çështjet më të rëndësishme që do të trajtohen në këtë konferencë janë Brexit-i, zgjerimi i BE-së, marrëdhëniet trans-atlantike, zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Procesi i Berlinit, NATO dhe siguria kombëtare, kriza e refugjatëve, siguria energjetike, diplomacia ekonomike, menaxhimi i krizave, digjitalizimi i shërbimeve konsullore, diaspora, formimi i diplomatëve dhe transparenca.
Konferenca gjithashtu vlerëson zbatimin e politikës së jashtme në aspektin politik e teknik, si dhe në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve shqiptarë kudo në botë.
Ajo shërben edhe si një moment për ndarje eksperience, nxjerrje në pah të praktikave të mira, analizim të vështirësive dhe mangësive, si një pasqyrë për të ndërtuar një platformë pune më koherente dhe të koordinuar.
Konferenca e këtij viti synon:
• Të promovojë platformën e politikës së jashtme të nivelit të lartë “Tirana Initiative”, e ndërmarrë nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, në vijim të Samitit të Parisit për Ballkanin Perëndimor. “Tirana Initiative” përbën një instrument koordinimi të përpjekjeve dhe hapave konkretë rajonalë në kuadër të Procesit të Berlinit.
• Të njohë përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë me dinamikat me të cilat përballet aktualisht politika e jashtme, si dhe orientimet për akset kyçe të zbatimit të saj.
• Nëpërmjet gamës së gjerë të eskpertëve të politikës së jashtme, të mundësojë një analizë profesionale të aktualitetit ndërkombëtar dhe tendencave për të ardhmen, si dhe të analizojë në mënyrë sa më konkrete implikimet e mundshme për Shqipërinë.
• Të bëjë një analizë reale të metodave të punës, praktikave më të mira të ndërveprimit, shfrytëzimit të mundësive dhe mekanizmave nga shërbimi i jashtëm, me synim përmirësimin e performancës.
• Të prezantojë publikisht momentet kryesore të politikës së jashtme në harkun dy-vjeçar, duke nxjerrë në pah punën e bërë për mbrojtjen dhe nxitjen e interesave tona kombëtare.
Në mënyrë të veçantë, Konferenca e Ambasadorëve synon të përcjellë mesazhin që aktiviteti diplomatik nuk është i padeshifrueshëm, por pjesë e njëmendtë e gjithë aktivitetit shtetëror; pra, një imazh të qartë publik të mënyrës sesi aktiviteti diplomatik lidhet drejtpërdrejtë me mbrojtjen e interesave të vendit dhe qytetarëve.