Fjala e kryeministrit Edi Rama në prezantimin e nismës #ColoursofAlbania- Ngjyrat e Shqipërisë:
Kur një ish sekretar i Shtetit për Marrëdhëniet me Jashtë i Britanisë së Madhe Lordi Palmerston mësoi se u shpik telegrafi elektrik tha “O zot ky është fundi i diplomacisë”. Edhe kur Ditmiri atëkohë në opozitë më shikonte që përdorja cicërimat e Tëiiterit mendonte me vete “O Zot si mund të bëhet ky njeri kryeministër”. Mirëpo ja që sot në qeverinë tonë Ditmiri është një konsumator edhe më i apasionuar i Twitter-it se sa unë, bashkë me kolegun e tij Frank-Walter Steinmeier që do të vijë pas pak ditësh në Tiranë, çka do të thotë se kjo pafundësi zhvillimesh teknologjike, jo vetëm nuk është fundi, por përkundrazi është rritja e kapaciteteve të njeriut për të komunikuar me të tjerët.
Kur më thanë që duhet të isha në këtë aktivitet, nuk më shpjeguan në fakt, ndryshe nga zakonisht, asgjë nga përmbajtja e tij. E kur unë i thash çfarë është kjo Colors of Albania, s’më keni dhënë asnjë shpjegim, më thanë që Ditmiri tha mjafton të shkruani “Colors” dhe nuk ka nevojë ti japim shpjegime të tjera kryeministrit, se ai me siguri do të vijë. Në fakt unë nuk erdha se shkruhej Colors, por në fakt Colors dhe Ditmiri bashkë përbëjnë një ekscepsion që më solli këtu.
Ndërkohë që për të qenë më serioz dua të falënderoj nga zemra Telekom Albania, CEO-n e Telekom Albanias, por edhe ekipin e tij dhe veçanërisht Ornelën që është këtu e pranishme dhe që kujdeset posaçërisht për ti dhënë mundësi kompanisë, por dhe njerëzve që të afrohen më shumë përmes rrugësh inovative të komunikimit.
Ndërkohë që në këtë rast kompania nuk synon të afrojë më shumë njerëz drejt saj, por që t’u japë mundësi sa më shumë njerëzve dhe veçanërisht të rinjve që të përdorin kapacitetin e tyre të komunikimit përmes telefonit celular për tu bërë pjesw e një programi që është program diplomatik. Është programi i ministrisë së jashtme për të ekspozuar në të gjithë selitë diplomatike të vendit tonë fotografitë e Shqipërisë të parë, jo nga fotografët e propagandës, por nga njerëzit e lirë të këtij vendi që fotografojnë vendin ku ndodhen në këndvështrime nga më të ndryshmet.
Sigurisht që kompania ka meritën që duhet t’ia njohim, vënien në dispozicion të këtij programi, jo vetëm të kapaciteteve teknologjike, por edhe të disa çmimeve, 10 çmimeve fituese që janë një motivim më shumë për të tërhequr më shumë njerëz në këtë konkurs bukurie, në kuptimin më të bukur të fjalës. Një konkurs bukurie të trupit të Shqipërisë në të gjitha pjesët e veta, nga pjesët më të thella, deri tek pjesët më të sipërfaqshme ku jeta, lëvizja dhe sidomos në këtë periudhe pushimesh i çon të rinjtë, por edhe ata të tjerët që për të mos pranuar që po plaken, si puna ime përdorin intensivisht celularin, përdorin intensivisht Twitter -in, Facebook-un e kështu me radhë.
Dua po ashtu të them që ne jemi shumë të interesuar për të qënë pjesë e çdo nisme që vjen jashtë nesh dhe që çon përpara programin e inovacionit. Përpara pak kohësh përmes Google, ministrja e jonë e inovacionit bëri të mundur që të kishim këtu një ekip dhe në bashkëpunim me ministren dhe ministrinë e kulturës të krijonim një galeri virtuale të jashtëzakonshme të Shqipërisë dhe të trashëgimisë së saj kulturore, të parë nga të gjitha këndet.
Është një hartë në tre dimensione që i jep mundësinë gjithkujt që është kurioz për këtë vend që të futet dhe të eksplorojë si të ishte përpara realitetit fizik, një pjesë shumë të rëndësishme të bukurisë së këtij vendi. Nuk është një përpjekje për të treguar një Shqipëri tjetër. E kundërta është e vërtetë. Është një përpjekje për të treguar Shqipërinë që kemi dhe që për fat të keq shumë shpesh jemi të prirur ta shikojmë vetëm në anët e veta të kritikueshme. Ndërkohë që është gjithmonë e më shumë kënaqësi që të shikosh reagimin e atyre që e vizitojnë Shqipërinë për herë të parë, apo e atyre që e jetojnë Shqipërinë me sy të painteresuar politikisht, me sy të painteresuar për shkak të cinizmit që kërkon të ushqehet vazhdimisht me gjëra negative.
Sot kam patur një takim prekës me ambasadorin gjerman, i cili do të largohet nga Shqipëria, takimin që në gjuhën diplomatike quhet takimi i lamtumirës. E në këtë takim lamtumire ambasadori më shprehu në mënyrë shumë të thjeshtë dhe të sinqertë, kënaqësinë e jashtëzakonshme të dëshmitarit të një Tirane, që sot sipas fjalëve të tij është më e bukur se asnjëherë, është më e pastër se asnjëherë dhe mbi të gjitha provokon energji pozitive më shumë se asnjëherë.
Po ashtu, përpara pak javësh, isha në Suedi, ku pata privilegjin të takoj një nga figurat më të mëdha të politikës evropiane të pas Luftës së Dytë botërore, ish kryeministrin suedez, Göran Persson, i cili për 10 vite me radhë në krye të qeverisë në Suedi, ndryshoi Suedinë sipas fjalëve të tyre. Një njeri me një njohje të jashtëzakonshme të botës, por jo thjesht njohje politike por njohje fizike të botës, një udhëtar i botës, kontinent më kontinent, metropol në metropol, qytet në qytet.
Takimi ynë ndodhi pas një vizite të mëparshme dy ditore të kryeministrit suedez dhe të një grupi sipërmarrësish në Shqipëri. E kisha të pamundur të besoja që vendi që ai përshkruante ishte vendi ku ne jetojmë. Që bukuritë për të cilat ai fliste ishin bukuritë e vendit tonë. Që Tirana për të cilën ai foli rreth 10 minuta, ishte Tirana ku ne gdhihemi e ngrysemi përditë, sepse përshkrimi i tij ishte fantastik. E kisha të pamundur, jo sepse unë nuk i çmoj, përkundrazi, bukuritë e jashtëzakonshme të vendit tonë dhe po ashtu në konflikt të plotë interesi ndryshimet e jashtëzakonshme të Tiranës. Por të dëgjuara këto nga një njeri krejtësisht i painteresuar për të thënë fjalë të bukura dhe mbi të gjitha me një bagazh të jashtëzakonshëm në arkivën e imazheve mbledhura në botën mbarë dhe në fund fare një njeriu që është lindur dhe është rritur e jeton në Suedi, në një nga vendet me cilësinë më të lartë të jetës në botë, -kishin një tingëllim krejt tjetër.
E pra, besoj se na takon, i takon secilit që ndërkohë që me të drejtë kërkojnë që Shqipëria të bëhet ende shumë më e mirë, që Shqipëria të bëhet ende shumë më e dashur, jo për atë që ka si pasuri natyrore, por për atë që mund t’u japë të gjithë atyre që jetojnë, nuk duhet të humbasim aftësinë për ta shijuar Shqipërinë që kemi, për ta shijuar vendin që kemi, për të shijuar kryeqytetin që kemi, dhe qytetet, që me përpjekje të mëdha dhe në kushte aspak të lehta financiare, po përpiqemi që ti rilindim dita-ditës për ti dhënë një cilësi të re imagjinatës së njerëzve në radhë të parë.
Kam dëgjuar një fjalë shumë të bukur që thotë, “nuk jetohet dot mirë në një vend që nuk frymëzon imagjinatën e njeriut për të parë se sa ende më mirë mund të jetohet”.
E pra, besoj që Shqipëria dhe vendi ku ne jemi pavarësisht në pikën ku ndodhemi në Shqipëri, e ka këtë kapacitet. Por nga ana tjetër na takon ne, më takon mua, i takon qeverisë, i takon bashkive, i takon administratorëve në nivel qendror e vendor që të shfrytëzojnë potencialin e këtij vendi, të shfrytëzojnë potencialin e çdo vendi, në këtë vend për të krijuar kushte në dukje minimale, diku një shesh, diku një park, s’po them lodrash se ky është një konkurs për të gjithë, që stimulojnë imagjinatën, që i japin mundësi dikujt që ka jetuar në një vend pa shesh, që ka jetuar në një vend ku s’ka vend për këmbësorin, -që të imagjinojë se e kundërta mund të ndodhë, sepse ka filluar të ndodhë.
Edhe një herë shumë faleminderit për gjithë vëmendjen tuaj dhe më vjen shumë mirë që këtu janë mbledhur shumë vajza dhe djem të interesuar, por jam i bindur që në këtë botë që jetojmë dhe sidomos në ditët që po kalojmë ku të gjithë jemi të përgjuar dhe që të gjithë do ta marrin vesh se çfarë thamë sot këtu dhe kështu të gjithë janë të ftuar që pasi të kenë dëgjuar përgjimin të bëhen pjesë e këtij konkursi.
Shumë faleminderit!
***
Konkursi fotografik #ColoursofAlbania- Ngjyrat e Shqipërisë, u prezantua sot në një aktivitet të vecantë si një nismë e ndërmarrë nga Ministria e Punëve të Jashtme me mbështetjen e kompanisë Telekom Albania.
Konkursi është një platformë për mbështetjen e "diplomatëve dixhitalë" shqiptarë nëpër botë, qytetarë, të rinj, të apasionuar pas fotografisë, në promovimin e Shqipërisë së gjallë, historike e kulturore.
Ai zhvillohet në mediat sociale, Instagram dhe Facebook, platforma të cilat mbledhin foto nga të gjithë pjesëmarrësit nëpërmjet përdorimit të # (hashtagut në Instagram) dhe @ (tagut ne Facebook) dhe synon të përfshijë të gjithë qytetarët shqiptarë duke i shndërruar në “Ambasadorë të vendit”.
Nisma #ColoursofAlbania do te zgjase 6 muaj (maj- tetor 2016) dhe do të finalizohet me shpalljen e 10 fotografive më të mira të konkursit, si dhe me promovimin e një bookleti përmbledhës te fotove më të mira të prezantuara online.
Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, ku i ftuar ishte dhe kryeministri Edi Rama, merrnin pjesë Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, drejtori ekzekutiv i Telekom Albania, Dimitris Blatsios, si dhe të ftuar të tjerë.
Duke marrë fjalën zoti Dimitris Blatsios shprehu kënaqësinë që Telekom Albania u ftua për të qënë përkrah një nisme të tillë. “Ne si Telekom jemi veçanërisht të lumtur që morëm ftesë nga Ministri i Jashtëm për të marrë pjesë në këtë nismë me teknologjinë tonë moderne. Ne jemi të pranishëm në të gjithë Shqipërinë duke lehtësuar dhe ofruar zhvillimet më të fundit teknologjike për të gjithë vendin dhe shqiptarët.” u shpreh ai.
Ndër të tjera ai tha se bukuria e Shqipërisë, dhe traditat që ajo mbart janë surprizuese. “Gjashtë muajt e mi të parë në këtë vend i përdora për të udhëtuar përreth dhe pashë pothuajse gjithçka duke mbetur pozitivisht i surprizuar nga bukuria natyrore e vendit që më kujtonte vendin tim të origjinës. Mbeta pozitivisht i surprizuar nga tradita e kultura e pasur e njerëzve si dhe mikpritja e shoqërisë.”