Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi takim me Ministrin Federal për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz. Kjo vizitë vjen në një moment të veçantë për dy vendet që para pak ditësh kremtuan 60 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe dhe dëshmon marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Austrisë. Procesi i integrimit evropian, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh, koordinimi i përpjekjeve të përbashkëta në menaxhimin e sfidave aktuale me të cilat po përballet Bashkimi Evropian si kriza migratore dhe siguria në kontinent, ishin çështjet kryesore që u trajtuan në takim. Ministri Kurz e njohu Ministrin Bushati me vëmendjen e veçantë që i kushton ky vend Ballkanit Perëndimor, duke rikonfirmuar qasjen e afërt të rajonit drejt Bashkimit Evropian dhe angazhimin e Austrisë në këtë drejtim. Ministri Bushati e njohu Ministrin Kurz me progresin e bërë nga qeveria shqiptare në adresimin e 5 prioriteteve kyçe, duke u ndalur veçanërisht në reformën në drejtësi. Ai vlerësoi kontributin e qeverisë austriake në mbështetje të procesit të reformave në vend. Mbështetja e vazhdueshme e Austrisë është pasqyruar qartë edhe në Strategjinë për Zhvillim 2015-2020, ku asistenca për forcimin e administratës publike, shtetin e së drejtës e arsimin profesional janë vetëm disa nga drejtimet kryesore të bashkëpunimit dypalësh. Palët gjithashtu diskutuan mbi intensifikimin e bashkëpunimit në fushat prioritare si turizmi, energjia, arsimi, industria minerare etj. Ministri Bushati vlerësoi qëndrimin e Austrisë si një ndër vendet anëtare në mbështetje te zgjerimit dhe u shpreh se: “jemi duke zbatuar planin e përbashkët të veprimit mes dy vendeve për këtë vit, i cili përmban një sërë angazhimesh dhe aktivitetesh konkrete në mbështetje të avancimit të vendit në rrugën e integrimit, me objektiv marrjen e vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ky plan shtrihet në fusha si integrimi evropian, ekonomia, programe të zhvillimit, administrata publike, edukimi, shkenca dhe shoqëria civile”. Gjithashtu, Ministrat Bushati dhe Kurz morën pjesë në konferencën mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u organizua në Vjenë nga Ministria Federale e Austrisë për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ministrinë franceze të Punëve të Jashtme. Konferenca u zhvillua në kuadër të Procesit të Berlinit dhe përgatitjes së Samitit të radhës që zhvillohet në Paris, në korrik 2016. Ministri Bushati mori pjesë në panelin e nivelit të lartë me temë: “Ballkani Perëndimor: Një proces më energjik i zgjerimit evropian me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe”. Në fjalën e tij, Ministri Bushati evidentoi transformimin rrënjësor që ka pësuar Ballkani Perëndimor në sajë të perspektives evropiane dhe nevojën e vijimit të këtij procesi në funksion të stabilitetit të rajonit. Duke u ndalur në natyrën e mosmarrëveshjeve dypalëshe në rajon, Ministri Bushati u shpreh se: "Dëshiroj t’i ndaj mosmarrëveshjet e hapura dypalëshe në Ballkanin Perëndimor në tre kategori të ndryshme: