Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në ministerialin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, që u mbajt në Bruksel për çështjen e Ukrainës.
Ministrja Xhaçka theksoi se Shqipëria e ka bërë pjesën e saj, duke ofruar ndihmën e saj dhe duke iu bashkuar sanksioneve të BE-së.
“Ne kemi marrë gjithashtu rol parësor në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të mbështetur Ukrainën dhe për t’i dhënë fund kësaj lufte kriminale si dhe për të siguruar përgjegjësi për krimet e luftës”, u shpreh ministrja Xhaçka pas takimeve që u mbajtën më datë 6 dhe 7 prill.
Pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se aleatët kanë bërë shumë dhe janë të vendosur të bëjnë më shumë, për të ndihmuar ukrainasit e guximshëm të mbrojnë shtëpitë e tyre dhe vendin e tyre.
Pjesë e takimeve ishte edhe Sekretari i SHBA, Antony Blinken, i cili tha se gjatë ministerialit u diskutua edhe për një Koncept të ri Strategjik të NATO-s. Sipas tij, dokumenti për këtë plan publik do të publikohet në samitin e NATO-s në Madrid në qershor.