SHBA, Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit të OKB, ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë

Në vijim të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri Rama mori pjesë në pritjen e organizuar në New York, me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, një ndër organet më të rëndësishme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka për detyrë mirëmbajtjen e paqes dhe sigurisë në mes kombeve.
Në ceremoni merrnin pjesë Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB Abdulla Shahid, Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara Ferit Hoxha, ambasadorë të vendeve anëtare në OKB, përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA, etj.
Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së shprehu përgëzimet e tij për zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023.
“Nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria do ta ndërtojë më tej punën mbi angazhimin e saj afatgjatë për paqen dhe sigurinë dhe mbi historikun e angazhimit të saj të fuqishëm me organizma të shumta të Kombeve të Bashkuara, për të forcuar punën e Këshillit”, u shpreh Shahid gjatë ceremonisë.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, në fjalën e saj përshëndetëse e vlerësoi mandatin si një përgjegjësi dhe privilegj të madh për vendin.
“Për herë të parë, 66 vjet pasi u bë anëtare e OKB-së, Shqipëria ka mundësinë të ulet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo sigurisht është një përgjegjësi e madhe. Ky pa dyshim është një privilegj i madh. Por ky është në të njëjtën kohë, një moment tejet i veçantë në historinë e Shqipërisë moderne i cili tregon se sa larg kemi udhëtuar dhe sa shumë ka arritur vendi ynë dhe njerëzit tanë. Ne vijmë në Këshill me optimizmin se edhe vendet e vogla mund të kenë ndikim në çështje si Gratë, Paqja dhe Siguria, Luftimi i Ekstremizmit të Dhunshëm, të Drejtat e Njeriut dhe e drejta ndërkombëtare, Ndryshimet Klimatike dhe Siguria ose rritja e transparencës dhe efikasitetit të bashkëpunimit midis kombeve në Këshillin e Sigurimit”, u shpreh Ministrja e Jashtme Xhaçka.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve theksoi se “Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, që shënon edhe një tjetër gur themelor në rrugën tonë të transformimit për të përmbushur aspiratat tona si komb dhe për të kontribuar që ta bëjmë botën një vend më të mirë për ne dhe për të gjithë. Ne jemi angazhuar të sjellim zërin, vlerat dhe normat tona në punën e përbashkët të Këshillit të Sigurimit, si kontribut për paqen. Ne dëshirojmë të ndajmë me të tjerët përvojat e jetuara, mësimet e marra. Sfida jonë është ta bëjmë të drejtë atë çka është e fortë dhe ta bëjmë të fortë atë që është e drejtë. Për një organizëm kaq të fuqishëm sa Këshilli, të mos jetë i drejtë nuk mund të jetë alternativë, ndaj duhet të bashkohemi me drejtësinë, pasi nuk do të ketë paqe pa drejtësi”.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ventúrska 277/16,
811 01 Bratislava

Slovak Republic

Tel / Fax

Tel: 004212 638 100 50
Emergency call:
00421 904 801 391

E-MAIL

embassy.bratislava@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00