Xhaçka-McCluney: Përshpejtimi i arritjeve të Agjendës për vitin 2030, pritshmëria jonë nga reforma e RCS

“Përshpejtimi i arritjeve të Agjendës për vitin 2030 është pritshmëria kryesore nga reforma e RCS”.
Kështu u shpreh Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë një takimi të zhvilluar me koordinatoren rezidente të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, znj. Fiona McCluney.
Sipas Ministres, krijimi i Fondit të Përshpejtimit që nënvizon partneritetin e Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë shumë në këtë drejtim.
Ministrja Xhaçka vlerësoi mbështetjen e OKB për implantimin e Qëllimeve për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG) në vendin tonë, teksa theksoi se Shqipëria e ka mbështetur fuqimisht vizionin e McCluney për një reformë të guximshme në këtë sistem.
Ministrja Xhaçka deklaroi se do të rrisë përpjekjet në formimin e një brezi të ri për zbatimin e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, i cili gjithashtu lidhet me qëllimet e brendshme të Shqipërisë për anëtarësimin në BE.
Gjithashtu, ajo vlerësoi kontributin e koordinatores McCluney dhe ekipit të saj për bashkëpunimin e mëtejshëm midis Shqipërisë e OKB-së si dhe nismën e saj për t’iu afruar vendeve të Ballkanit Perëndimor me një instrument të ri, atë të Fondit për Ndërtimin e Paqes (PBF) për të ndihmuar qeveritë dhe partnerët e rajonit në mbështetjen e paqes dhe forcimin e bashkëpunimit.

Adresa

Ambasada Shqiptare
Ventúrska 277/16,
811 01 Bratislava

Slovak Republic

Tel / Fax

Tel: 004212 638 100 50
Emergency call:
00421 904 801 391

E-MAIL

embassy.bratislava@mfa.gov.al

Orari zyrtar

E hënë- E premte
09:00 - 17:00