Në datën 16 shtator, ambasadori Pëllumb Qazimi është pritur në takim nga Lovorko Mamić, president i bordit të menaxhimit dhe administrator i Agjensisë Tursitike Kompas. Ambasadori ka falënderuar Z.Mamić për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet KOMPAS dhe Ambasadës së Shqipërisë në Slloveni, bashkëpunim i cili që prej 1 shtatorit 2019 është finalizuar me hapjen në Tiranë të zyrës së përfaqësimit të KOMPAS. Agjensia KOMPAS shfaqet ambicioze dhe e angazhuar për të intensifikuar e thelluar bashkëpunimin dhe praninë e vizitorëve e turistëve të huaj në tregun shqiptar të turizmit. Gjatë vitit 2019 rreth 3 mijë turistë janë dërguar prej KOMPAS në Shqipëri dhe për vitin 2020 objektivi është që shifra të shkojë nga 10 deri 20 mijë. Në të ardhmen e afërt, KOMPAS ka si objektiv që të jetë sa më i pranishëm në Shqipëri duke ndjekur nga afër prirjen e rritjes së mundësive e kushteve të turizmit. Prania e KOMPAS në Shqipëri përfaqëson një shembull inkurajues për bizneset e të dy vendeve, Shqipërisë dhe Sllovenisë, me objektiv intensifikimin e kontakteve dhe konkretizimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën ekonomike e të turizmit.