Në pasditen e datës 9 tetor, përmes një ceremonie, Shoqata Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Lubjanë filloi mësimin plotësues në gjuhën shqipe me fëmijët shqiptarë. Në prani të fëmijëve dhe prindërve të tyre, anëtarëve të kryesisë të shoqatës dhe anëtarëve të saj, të pranishmit i përshëndetën kryetari i shoqatës Martin Berishaj, si dhe ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi dhe ambasadori i Kosovës Avni Kastrati. Nisma e fillimit të mësimit pas disa vite ndërprerje, përfaqëson punë e projekt konkret të Shoqatës për ruajtjen e identitetit kombëtar, njohjen e promovimin e gjuhës e të kulturës shqiptare. Shëmbulli i Shoqatës “Migjeni” është inkurajues e motivues edhe për shoqatat e tjera kulturore shqiptare në Slloveni. Urime mësueses Shyhrete Kelmendi dhe vit mësimor të mbarë për fëmijët pjesëmarrës në mësimin plotësues të gjuhës shqipe.