Sllovenia-mbështetëse e fortë dhe e qëndrueshme në rrugëtimin evropian të Shqipërisë

Në datat 14 dhe15 tetor 2020, Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit me BE-në zhvilloi një vizitë të frytshme pune në Slloveni. Gjatë qëndrimit në Ljubjanë, Kryenegociatori Mazi zhvilloi takime pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me Sekretarin e Shtetit, Gašper Dovžan dhe ish Kryenegociatorin slloven Andrej Engelman. Kryenegociatori Mazi zhvilloi edhe një seancë dëgjese me një delegacion të përbashkët të Komitetit për Politikën e Jashtme dhe Komitetit të Çështjeve të BE-së në Asamblenë Kombëtare të Sllovenisë, kryesuar nga kryetarët e tyre, Monika Gregorčič dhe Marko Pogačnik. Me Sekretarin e Shtetit Dovžan u shkëmbyen mendime për ecurinë e Shqipërisë në rrugën e BE-së. Kryenegociatori Mazi ndau me të progresin e bërë nga Shqipëria për plotësimin e prioriteteve përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare, si edhe stadin e përgatitjeve së brendshmi të administratës shqiptare për nisjen e zhvillimit të negociatave të anëtarësimit në BE.

Bashkëbiseduesit sllovenë u njohën dhe mirëpritën zhvillimet shumë pozitive në përmbushjen e prioriteteve përpara Konferencës së parë Ndërqeveritare nga Shqipëria dhe konfirmuan mbështetjen sllovene për bërjen të mundur të mbajtjes së saj brenda vitit 2020. Me palën sllovene u ra dakord për forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e mbështetjes në kuadër të përgatitjes së administratës shqiptare për negociatat, përfshi identifikimin e disa fushave specifike të bashkëpunimit brenda kapitujve. Në takimin me deputetët e të gjithë spektrit politik të përfaqësuar në Asamblenë Kombëtare të Sllovenisë u shpreh mbështetja e tyre unanime për ecurinë e Shqipërisë në rrugën evropiane, miratimin me konsensus të kuadrit negociues për Shqipërinë dhe mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare menjëherë pas saj. Integrimi Euro-Atlantik i rajonit të Ballkanit Perëndimor mbetet një nga prioritetet e politikës së jashtme të Sllovenisë. Ndërkohë, Zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë një nga prioritetet e Presidencës Sllovene të Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Postal Address

Embasy of Albania
Tavčarjeva ulica 10
1000 Ljubljana
Slovenia

Tel / Fax

Tel. +38615473650
Fax +38615473652
Nr. emergjence
+38631240760

E-MAIL

embassy.ljubljana@mfa.gov.al

OPENING TIMES

Monday to Friday
08:00 - 16:00