
Në datën 19 tetor, gazeta Delo ka botuar intervistën e Zef Mazit, Kryenegociator i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Mazi thekson se e ardhmja është një hapësirë e përbashkët evropiane, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor. Gazeta nënvizon se Kryenegociatori shqiptar Mazi është një nga diplomatët që besojnë në zgjerimin e BE-së dhe idenë evropiane. Sipas tij, Shqipëria, që është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE prej vitesh, ashtu si edhe Sllovenia, do të ketë shumë përfitime pas anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Në intervistën për gazetën Delo, Kryenegociatori Zef Mazi vlerëson se ka ende shumë hapësirë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë. Mazi vlerëson pozicionin e Sllovenisë dhe ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Sllovenisë ndaj Shqipërisë. Ai, ndër të tjera ka shprehur mirënjohjen e vendit të tij për mbështetjen e Sllovenisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë. “Të gjithë nivelet e shoqërisë shqiptare janë të vetëdijshme se kombi slloven, shteti, parlamenti, qeveria, presidenti janë me ne”, ka theksuar Kryenegociatori shqiptar në intervistën dhënë për Delo.