
Në datën 3 nëntor, ambasadori Pëllumb Qazimi ka pritur në Ambasadë shqiptaren Selda Sukaj Kocinaj nga Durrësi me banim në Celje të Sllovenisë. Ajo është e punësuar si moderatore ndërkulturore në Universitetin Popullor në Celje dhe është bashkëautore e fjalorit sllovenisht-shqip për fëmijë. Selda është e përfshirë dhe e angazhuar në projekte të aktivizimit social të grave shqiptare, financuar nga Ministria e Punës të Sllovenisë dhe nga Bashkimi Evropian. Njëherazi, ajo është pjesë e përpjekjeve për mësimin e gjuhës shqipe me fëmijët shqiptarë, por pse jo edhe me pjesëtarë të administratës sllovene. Pjesë e takimit ishte edhe dorëzimi i teksteve të mësimit të gjuhës shqipe dërguar nga Zyra e Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë në ndihmë të diasporës shqiptare.
Ambasada e Shqipërisë përgëzon Selda Sukaj për përpjekjet dhe punën e bërë, si dhe inkurajon çdo përpjekje të veprimtarëve shqiptarë me banim në Slloveni në aspektin e integrimit sa më të mirë e të natyrshëm të shqiptarëve në shoqërinë sllovene.