Në mbrëmjen e datës 19 mars, në Lubjanë, nën drejtimin e Ganimet Shala, kryetare e Shoqatës, u zhvillua ngjarja inaguruese e Shoqatës së Gruas Shqiptare “TEUTA”. Ganimet Shala së bashku me grupin nismëtar, gra të shquara shqiptare si Hatija, Shpresa, Lea, Vera dhe Besa, në datën 5 shkurt 2022, finalizuan nismën e organizimit më të mirë të grave shqiptare me banim në Slloveni, duke krijuar shoqatën e tyre për të dhënë një kontribut domethënës për diasporën shqiptare në Slloveni. Kështu, kjo datë shënon krijimin e Shoqatës së Gruas Shqiptare “TEUTA” në Slloveni. Në këtë ngjarje ishin ftuar edhe deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Perlaskaj, kryetarja e Shoqatës së Gruas Shqiptare “DRITA” në Kroaci, Dorotea Kerni, si edhe bashkëshorte të ambasadorëve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në Zagreb dhe Lubjanë. Me këtë rast, të pranishmet u përshëndetën edhe nga ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi, ambasadori i Kosovës Valdet Sadiku dhe zëvendës ambasadori i Maqedonisë së Veriut Jumni Saliu.
Krahas tryezës së rrumbullakët kushtuar rolit dhe historive të suksesit të gruas shqiptare në diasporë, pjesëmarrëset kaluan një mbrëmje të gëzuar nën tingujt muzikorë, interpretuar nga familja artiste Beqir Telaku.
Udhëtim të mbarë për Shoqatën e Gruas Shqiptare “TEUTA” në Slloveni dhe suksese në përmbushjen e misionit të saj fisnik!