
Në datën 31 mars ambasadori Pëllumb Qazimi u prit në takim nga Zëvendës Kryetari Bashkisë Lubjanë Dejan Crnek. Gjatë takimit ambasadori theksoi kënaqësinë e komunikimit e të shkëmbimeve me Bashkinë Lubjanë, si kryeqytet tashmë i shpallur qyteti i gjelbërt për vitin 2016. Njëherazi, informoi për zhvillimet në Shqipëri dhe mbështetjen e pakursyer që Sllovenia ka ofruar për Shqipërinë për demokratizimin e shoqërisë shqiptare, anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e NATO-s, ashtu edhe për integrimin evropian. Me theks të veçantë u trajtua nevoja e sjelljes më afër të dy vendeve e të dy popujve tanë dhe në këtë kuadër edhe të dy kryeqyteteve, Tiranës dhe Lubjanës.
Z. Dejan Crnek nënvizoi domosdoshmërinë e kontakteve midis dy vendeve jo vetëm në nivelin qëndror por edhe në atë lokal dhe para së gjithash në nivel kryeqytetesh. Pavarësisht se Shqipëria është afër, shpesh për publikun slloven ajo paraqitet edhe larg. Në këtë kuptim sipas tij, janë të gjitha mundësitë që të dy vendet të jenë më pranë e të bashkëpunojnë më nga afër. Z. Crnek përcolli edhe mesazhin e vullnetit të Bashkisë Lubjanë dhe të vetë Kryetarit të Bashkisë Zoran Jankoviç për bashkëpunim të afërt me Ambasadën e Shqipërisë.
Bashkëbiseduesit shprehën gadishmërinë për një numër projektesh të përbashkëta me Ambasadën. Së afërmi në Lubjanë organizohet Dita e kulturës dhe e turizmit shqiptar, që përfaqëson veprimtarinë e parë të këtij lloji për Shqipërinë në Slloveni. Më tej, u gjet mirëkuptim edhe për një projekt tjetër, fryt bashkëpunimi ndërmjet Ambasadës së Shqipërisë dhe Bashkisë Lubjanë. Bëhet fjalë për ekspozitën fotografike “Shqipëria, Sllovenia dhe Kroacia nga Ajri”, projekt për të cilin Ambasada ka kohë që po punon e koordinon me autorët përkatës. Ekspozita pas hapjes në qytetin e Lubjanës, synohet të lëvizë edhe në qytete të tjera kryesore të Sllovenisë. Në projekt do të përfshihet edhe komuniteti shqiptar.
Gjatë takimit u gjet gjuha e përbashkët për bashkëpunim e prani të ndërsjelltë në veprimtaritë e Bashkisë së Lubjanës dhe të Ambasadës së Shqipërisë. Këto angazhime u konsideruan si të nevojëshme e të domosdoshme për të sjellë më afër dy popujt e dy vendet tona.