Prej disa ditësh në galerinë qendrore të qytetit Lubjanë, Bashkia e qytetit, është organizuar ekspozita fotografike "Shqipëria nga Ajri", me autor Alket Islamin. Ceremonia e hapjes u zhvillua në datën 24 nëntor, ku të pranishmit e shumtë, përfaqësues të institucioneve sllovene, ambasadorë, shqiptarë të Sllovenisë, dhe qytetarë sllovenë, i përshëndetën ambasadori i Shqipërisë dhe zëvendës kryetari i Bashkisë Lubjanë Dejan Crnek. Ambasadori Pëllumb Qazimi falënderoi drejtuesit e Bashkisë Lubjanë për gadishmërinë dhe dëshirën e bashkëpunimit me Ambasadën e Shqipërisë, duke sjellë në vëmendje edhe projektin e mëparshëm të përbashkët-organizimin e Ditës të Kulturës dhe Turizmit të Shqipërisë në prill të këtij viti. Crnek nga ana e tij theksoi se është kënaqësi të bashkëpunohet me Ambasadën e Shqipërisë dhe prezantimi i Shqipërisë në Lubjanë është mëse i mirëpritur.
Ekspozita ka 20 fotografi me pamje nga bregdeti dhe pasuritë kulturore shqiptare. Ajo është e hapur për publikun, nxënës shkollash dhe turistë që vizitojnë çdo ditë Lubjanën.