Në datën 28 nëntor në Qendrën e Panaireve në Lubjanë u zhvillua panairi i përvitshëm SILA Bazaar, veprimtari humanitare e organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Grave në Slloveni (SILA-Slovenian International Ladies Association), me pjesëmarrjen e shumë Ambasadave dhe Shoqatave të ndryshme në Republikën e Sllovenisë.
Edhe këtë vit, Ambasada e Shqipërisë u paraqit me stendën e Shqipërisë. Përveç dekoracionit me simbole kombëtare, broshurave e materialeve promovuese të turizmit, posterave të bukurive të natyrës shqiptare, u paraqitën edhe produkte nga Shqipëria. Brandy "Skerderbej", rakia, vaji i ullirit "Borshi YH", vera "Enol, Preza", komposto dhe reçel Berati, mjalti "Morava" dhe bakllava "Memy" tërhoqën vëmendjen e pranishmëve në këtë ngjarje. Duhet nënvizuar se produktet shqiptare, në sasi të konsiderueshme, në më pak se tre orë u shitën. Interesi për konjakun (Brandy), vajin e ullirit, bakllavanë e veçantë "Memy" ishte i jashtëzakonshëm. Qytetarët sllovenë të pranishëm në këtë ngjarje kur shihnin "Albanija" menjëherë ndalonin dhe pyesnin pa hezitim për konjakun shqiptar. Pasi blinin atë kalonin në produktet e tjera dhe pa hezitim kërkonin t'i blinin.
Gjatë veprimtarisë u realizuan kontakte me agjensi turistike, të cilave u janë ofruar broshura të turizmit, flamuj shqiptarë, etj. Qytetarë të ndryshëm komunikonin me njëri tjetrin dhe pohonin "Počakaj, Albanski štand - Ndalo, stenda e Shqipërisë".
Stendën e Shqipërisë e vizitoi edhe Presidenti i Republikës të Sllovenisë, Borut Pahor me bashkëshorten e vet, si dhe Kryetari i Bashkisë Lubjanë, Zoran Janković.
Të ardhurat e siguruara, të cilat ishin të konsiderueshme, iu dorëzuan organizatorëve sipas planit të paracaktuar për t’u përdorur për bamirësi për ndihmë ndaj fëmijëve dhe individëve në nevojë.
Pjesëmarrja dinjitoze në SILA Bazaar me stendën e Shqipërisë ishte falë kontributit dhe përkushtimit të plotë të personelit të Ambasadës dhe familjarëve të tyre.
Pse jo, ky prezantim i Shqipërisë dhe interesi i qytetarëve sllovenë për produktet "Made in Albania" le të shërbejë për zgjimin e bizneseve dhe të organizmave ekonomikë në Shqipëri. Tashmë, ka ardhur koha për konkretizim të mëtejshëm të marrëdhënieve, shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Sllovenisë.