Në datat 07-13 dhjetor në Lubjanë për të 12-in vit rradhazi u zhvillua festivali ndërkombëtar i filmit vizatimor. Në edicionin e 12-të, për herë të parë pjesëmarrëse ishte edhe Shqipëria. Pjesëmarrja e Shqipërisë ishte falë kontributit të përbashkët të organizatorëve e drejtuesve slloven të festivalit, organizmit të filmit "Anibar" në Pejë, Kosovë dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit në Tiranë.
Gjatë mbrëmjes të datës 12 dhjetor në "Slovenska Kinoteka", Lubjanë, u shfaqën 14 filma vizatimorë, prodhim i "Kinostudjos Shqipëria e Re" deri në fund të viteve 80-të të shekullit të kaluar. Ndoqën filmat shqiptarë fëmijë sllovenë e prindërit e tyre, fëmijë shqiptarë së bashku me prindërit, drejtues të festivalit dhe specialistë të filmit, personeli i Ambasadës së Shqipërisë në Slloveni, etj. Të pranishmit i përshëndetën drejtuesi i festivalit "Animateka", Igor Prassel , përfaqësuesja e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit Tiranë, Eriona Vyshka dhe drejtuesi i "Anibar", Pejë, Kosovë, Rron Bajri.
Në përfundim të aktivitetit, ambasadori Pëllumb Qazimi falënderoi drejtuesit e festivalit dhe të "Anibar" dhe AQSHF për këtë pjesëmarrje të parë të Shqipërisë. Kjo pjesëmarrje do të shërbejë për rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen dhe prani të shpeshtë të filmit shqiptar për publikun slloven në Lubjanë e në Slloveni.